Ky vit do të jetë ndoshta më speciali në jetën e Xherdan Shaqirit.
Së bashku me shokët e Kombëtares së Zvicrës, futbollisti kosovar do ta vizitojë vendlindjen e tij, Kosovën, në pjesën e dytë të vitit.
“Helvetikët” do ta kenë një përballje të dyfishtë me Kosovën në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.
Dhe, futbollisti i lindur në Gjilan mezi e pret përballjen me vendin e prindërve të tij.
31 vjeçari pret që, ai me shokë, ta kenë një mikpritje të ngrohtë në Kosovë, ku prezentë në stadium do të jenë edhe familjarët e tij.
Shaqiri e ka dhënë një intervistë për gjigantin mediatik britanik “The Guardian”, të cilit ia ka shpalosur emocionet që i ndien para kësaj ndeshjeje speciale për të, por edhe për Granit Xhakën, përcjell “Gazeta Express”.
“Unë luaj për Zvicrën, por jam lindur në Kosovë dhe i dua të dyja vendet. Do ta jap 100 për qindëshin nga vetja për Zvicrën. Do të jetë një moment krenarie, natyrisht. Do ta shijoj çdo moment duke luajtur atje sepse krejt familja ime do të vijë në stadium. Do të jetë mjaft emocionuese për mua. Dhe, jam i sigurt se do ta kemi një mikpritje të ngrohtë”, shprehet fillimisht Shaqiri.
Ai ndërkohë zbulon se pas luftës e ka vizituar Kosovën kohë pas kohe.
Por, aty s’kishte se çka të shihte kohë më parë.
“Shtëpia e jonë ishte djegur. Në mure ishin shkruar gjëra. Gjithçka ishte e thatë”, e kujton periudhën e pasluftës Shaqiri.
Ai shpreson të rikthehet si futbollit për ndeshjen kualifikuese, në një eksperiencë që shpreson të jetë pozitive për të gjithë.