Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Pejës, Rajan Arapi, po dyshohet se është përfshirë në një aferë me ish mikun e tij, të cilin e ka denoncuar për shantazh, si pasojë e presionit të vazhdueshëm që lidhet me disa biseda private dhe një shumë të majme parash. I dyshuari është një 23-vjeçar, i cili pretendon se Arapi nuk e ka përmbushur premtimin e tij, për ta paguar në këmbim të marrëdhënieve intime. Ky rast që lidhet me raportin e tyre të afërt, që dyshohet se zgjati së paku dy vjet tashmë po hetohet nga organet e rendit, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Personi që u raportua nga Arapi tashmë ndodhet në ndalim policor dhe i njëjti është objekt i hetimit nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Shantazhi’.
Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive nga ky rast dhe historia e asamblistit që dyshohet se ra pre e personit me të cilin kishte pasur raport që i tejkalon kufijtë e miqësisë, i cili i ka kërkuar mijëra euro, e madje një pjesë edhe ia pagoi.
Kush është personi që u arrestua për këtë rast – i cili pretendon se s’ka të bëjë me shantazh por me borxh?
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, personi që u prangos nga Policia lidhur me këtë rast është Argjend Rama, 23-vjeçar – po ashtu nga Peja, emër i njohur për organet e rendit, i po dyshohet se ia ka kërkuar asamblistit Arapi hiç më pak se mbi 30 mijë euro, duke e kanosur se do t’ia dëmtojë nderin dhe autoritetin e tij.
Pra, me qëllim që të përfitojë materialisht, i riu dyshohet se vendosi që përmes kërcënimeve nga më të ndryshmet, ta detyrojë Arapin që të veprojë në bazë të kërkesave të tij, duke e kushtëzuar me publikimin dëshmive që përfshijnë biseda/foto/video private mes tyre.
FOTO: I dyshuari Argjend Rama
Siç merr vesh Sinjali, gjithçka kishte nisur para 3 vitesh, kur Rama – që tashmë është i dyshuar dhe asamblisti Arapi, dyshohet se nisën një komunikim që u intensifikua dhe rezultoi me krijimin e një raporti shumë më të afërt se sa miq, iniciativë kjo që dyshohet se erdhi nga zyrtari i PDK-së.
FOTO: Asamblisti Rajan Arapi
Arapi ka pretenduar se është shantazhuar nga ish miku i tij, i cili në mënyrë sistematike e ka kanosur se do t’i publikojë bisedat që kanë zhvilluar mes vete gjatë kohës kur gjithçka shkonte mirë derisa plasi sherri dhe ai tentoi t’i vë kapakun kësaj pune.
I dyshuari dhe familja e tij e quajnë “borxh” kërkesën e Ramës, që tash po trajtohet si “shantazh”
Persona të afërt me familjen në kushte anonimiteti kanë rrëfyer për Sinjalin shqetësimin për arrestimin e djalit të tyre që po mbahet në Polici, edhe pse siç thonë ata, lidhja mes Rajanit dhe Argjendit ka qenë me dëshirë dhe premtimi për para e ndihmë ka ardhur prej asamblistit.
Siç pretendojnë ata, ky i fundit po dyshohet se në këmbim të seksit oral, i ka premtuar Ramës hiç më pak se 50 mijë euro, ndërsa vetëm mbi 10 mijë euro dyshohet se ia ka dhënë, duke i mbetur borxh edhe 40 mijë të tjera – një pjesë të të cilave ia ka kërkuar sërish.
Gjithnjë sipas dëshmisë së tyre, raporti mes tyre ka qenë shoqëror, por që më pas kishte ndryshuar kur Arapi ia dha premtimin se do t’i dalë në ndihmë për ndërtimin e shtëpisë, me ç’rast pasuan takimet e rregullta, ku dyshohet se qëndronin të afërt me njëri-tjetrin.
Sipas tyre, nuk ka pasur asnjë lloj shantazhi nga ana e djalit të tyre, por gjithçka lidhet me këtë premtim që ata e konsiderojnë si borxh – i cili nuk u krye nga ana e asamblistit, që po dyshohet se tentoi ta ndërpres komunikimin me të riun pas kërkesave të vazhdueshme të tij.
Pra raporti mes tyre krisi muajt e fundit, kur asamblisti Arapi dyshohet se tentoi ta mbyllë këtë çështje, me qëllim që t’i ikë komunikimit me 23-vjeçarin, duke e bllokuar në të gjitha rrjetet sociale, e madje edhe në numrat e telefonit.
Ky veprim siç duket e ka frustuar Ramën deri në atë pikë, i cili ka tentuar në çdo formë të bie në kontakt me Arapin, derisa është detyruar që t’i shkojë edhe te vendi i punës, e madje edhe te shtëpia.
Qëllimi i të dyshuarit ishte që t’i kërkojë llogari Arapit për marrëveshjen për të cilin pretendon se kanë bërë, por që veprimet e tij i kushtuan atë kohë. Të njëjtit persona të afërt me familjen e tij thonë se Rama kishte pranuar kërcënime serioze me paralajmërimin se nëse nuk ndalet, do ta pësojë keq bashkë me familjen e tij.
Sinjali mëson se kanosjet që i kishte marrë janë raportuar si rast edhe në Polici, por që nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin e rastit dhe nuk ka pasur persona të arrestuar.
Të bindur se Rama nuk e ka shantazhuar Arapin, e as nuk ka pasur qëllim të tillë ndaj tij, të afërmit e tij kanë deklaruar për Sinjalin se djali është i gatshëm të dalë edhe publikisht të flas për këtë rast sepse disponon dëshmi që e vërtetojnë të kundërtën.
Arrestimi i Ramës dyshohet se erdhi pas veprimit të fundit të tij, kur dyshohet se nuk gjeti rrugë tjetër përveç se t’i drejtohet asamblistit përmes emailit zyrtar, për borxhin që thotë se e ka ndaj tij. Familja thotë se ky email i ka vënë në lëvizje Policinë, prandaj djali i tyre përfundoi në pranga dhe po akuzohet padrejtësisht.
Burimet e Sinjalit e kanë konfirmuar se Argjend Rama është në mbajtje qe disa orë, nën dyshimet për veprën penale të shantazhit dhe ndalimi është si rezultat i denoncimit nga asamblisti.
Pas dëshmive të mbledhura dhe deklaratave të palëve të përfshira, Prokurori i Shtetit ka përgatitur kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit që do të parashtohet në Gjykatë.
Hetimet për këtë rast pritet të zbardhin në plotni raportin mes tyre dhe të konfirmojnë përfshirjen e 23-vjeçarit ose të pushojnë hetimet ndaj tij, nëse nuk provohet se i njëjti ka kryer këtë vepër penale.
Lajmin për Sinjalin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Pejë, me ç’rast është bërë e ditur se i dyshuari është arrestuar më 25 tetor dhe me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Më datë 25 tetor, Policia është informuar për një rast shantazhi. I dyshauri është arrestuar nga njësitë policore dhe pas intervistimimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje”, kanë deklaruar nga Policia për Sinjalin.
Ndryshe, “kushdo që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanos personin tjetër se do të zbulojë diç në lidhje me të apo personat e afërm të tij që do të dëmtojë nderin apo autoritetin e tyre dhe në këtë mënyrë e detyron personin e tillë të kryej apo të mos kryejë ndonjë veprim në dëm të pasurisë së tij apo të personit tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.”
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja që do të zbulohen nga ky rast.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.