Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka dhënë detaje lidhur me takimin e zhvilluar ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri Kurti doli me shpejtësi nga një konferencë e paradites, ku adresonte qëndrimet e tij pas takimit me përfaqësuesit e Këshillit Grevist, duke thënë se ka një takim urgjent.
Kryeziu ka thënë se me theks të veçantë në këtë takim që zgjati dy orë, u diskutua për sfidat energjetike dhe shkëmbimet që po bëjnë KEK me KESh.
“Kryeministri Kurti ka zhvilluar sot një takim pune me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në këtë takim dy kryeministrat kanë folur për çështjet e politikave publike e qeveritare dhe socio-ekonomike në Kosovë e Shqipëri, me theks të veçantë në sfidat energjetike dhe shkëmbimin që po bëjnë KEK me KESh”, ka thënë ai për teve1.info.
Kurti e Rama kanë zhvilluar një takim të paparalajmëruar sot në Tiranë. Takimi zgjati rreth dy orë.
Hera e fundit kur janë takuar kryeministrat Kurti dhe Rama është mbledhja e përbashkët e dy qeverive, më 20 qershor.