Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, teksa ka komentuar zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, ka thënë se qytetarët e Kosovës votuan për ndryshim duke qenë se e kërkuan një gjë të tillë.
Megjithatë ai thotë se qeverinë e re do ta presin dy sfida të mëdha, që janë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit e nepotizmit dhe çështja e arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë.
“Shpresoj që qeveria e re, kushdo që hynë në të, do të bëjë një punë të madhe në dokumentimin dhe gjykimin e korrupsionit në nivele të larta. Nepotizmi është rritur edhe më shumë. Kosova është një shoqëri ku lidhjet familjare janë ende të forta. Dhe punësimi i një kushëriri konsiderohet si një obligim familjar, vepër e cila shihet si korruptive vetëm kur të tjerët e bëjnë”, ka thënë Serwer, shkruan Express.
Tutje njohësi i rrethanave në Ballkanin Perëndimor si prioritet të qeverisë së re e sheh dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë.
“Dialogu me Serbinë do të jetë një prioritet tjetër, derisa bashkë Brukseli dhe Ëashingtoni janë duke bërë presion për normalizimin e plotë të raporteve Prishtinë-Beograd. Por ata janë duke bërë presion për dy zgjidhje të ndryshme. Washingtoni është duke synuar shkëmbim të territoreve, ide të cilën do ta shtyjë përpara emisari special i sapoemëruar. Ndërsa Brukseli është duke kërkuar një zgjidhje e cila ruan integritetin territorial të Kosovës. Një lloj i tillë i ndarjes ndërmjet BE-së dhe SHBA’së nuk është një ogur i mirë”, shkruan tutje Serwer.
Sipas tij për të kënaqur qytetarët, secila qeveri do të duhet që të arrijë rezultatet në ekonomi, sektor ky për të cilin Serwer thotë se Kosova ka pasur rekord negativ ndër vite.
Ndërkohë si një njollë të keqe të këtyre zgjedhjeve Serwer e sheh faktin se mbi 90 për qind e serbëve në Kosovë votuan për një parti të kontrolluar nga Beogradi.
Sipas tij Vuçiq e sheh si një fitore, por Serwer thotë se e sheh më shumë si një kontroll autokratik të Beogradit mbi serbët e Kosovës.