image Server: SHBA mund ta shpallë Kurtin person non-grata

Politikë

Server: SHBA mund ta shpallë Kurtin person non-grata

news image

Profesori amerikan, Daniel Server thotë se dënimi mund të mos jetë fjala e duhur nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti e refuzon planin për deeskalim, por ai thekson se është e qartë se SHBA-ja dhe BE-ja janë të gatshme të marrin masa të caktuara, raporton Kosovo-Online.

Njohësi i situatës politike në Ballkan nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kurti të shpallet persona non grata nga Amerika, duke përmendur si shembull vështirësinë e marrjes së vizës amerikane kur ai ishte në opozitë.

Server tha se SHBA dhe BE kanë marrëveshje të plotë për gjithçka në procesin e dialogut, përveç nismës “Ballkani i Hapur”.

“E vetmja temë ku vërej dallime në pikëpamjet e BE-së dhe SHBA-së është Ballkani i Hapur. SHBA e mbështet atë, BE e kundërshton atë,” tha Server.

I pyetur nëse beson se SHBA-të do të ndëshkojnë Kosovën dhe Kurtin nëse nuk do të ketë lëvizje për propozimin e BE-së për deeskalimin me tre pika, Server tha se nuk e di nëse fjala “dënim” është e saktë, por shtoi se ishte e qartë se SHBA-ja dhe BE-ja janë të gatshme të ushtrojnë presion ndaj Kosovës për deeskalim.

Profesori amerikan foli edhe për disa raportime në media, të cilat nuk përjashtuan as mundësinë që kryeministri Kurti të shpallet persona non grata nga SHBA-të në rast se refuzimi për deeskalim do të ishte ekstrem.

Ai thekson se është një ide e keqe që do ta bëjë Kurtin edhe më të pabindur, por tregon se nuk e përjashton.

“Është një ide e keqe që do ta bëjë Kurtin edhe më kokëfortë dhe të pabindur, por nuk do ta përjashtoja, e ka pasur të vështirë të marrë vizë gjatë viteve që ka qenë në opozitë”, ka theksuar Server.

Së fundi, i pyetur nëse vendimi i presidentit amerikan Joe Biden për urdhrin ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor mund të lidhet me situatën në veri të Kosovës, Server tha se supozoi se kishte lidhje, por shtoi se qeveria amerikane duhet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. 

/GazetaSinjali/