image Serbia i mbyllë natën kafenetë dhe klubet e natës, Vuçiq paralajmëron karantinimin e Beogradit

Rajon

Serbia i mbyllë natën kafenetë dhe klubet e natës, Vuçiq paralajmëron karantinimin e Beogradit

news image

Serbia ka nisur rikthimin e masave kufizuese pas rritjes së rasteve me koronavirus.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë njoftoi për disa nga masat që kanë nisur të zbatohen nga sot.

“Do të doja të kisha një situatë më të favorshme. Problemi më i madh është Beogradi, 82.5% e të infektuarve janë në Beograd”, tha fillimisht Vuçiq.

Klubet e natës do të mbyllen për dy javë – nga 11 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit. Vuçiq tha se e njëjta gjë do të vlejë edhe për kafenetë, përveç atyre që kanë oborr ose hapësirë të madhe, transmeton Gazeta Sinjali.

Gjithashtu u njoftua se konviktet e studentëve do të mbyllen po ashtu.

Sidoqoftë, mediat e Beogradit deklarojnë se pas bisedës së Vuçiqit me studentët, dhe pas njoftimit se konviktet do të mbyllen, ai vendim u tërhoq. Studentët do të qëndrojnë në konvikte, ndërsa do të gjejnë zgjidhje për të rritur masat kundër COVID-19.

Për të gjithë ata që nuk respektojnë masat, do të përcaktohen gjoba midis 5,000 dhe 6,000 dinarëve.

Deri në 100 persona do të lejohen të mblidhen brenda ndërsa 500 jashtë.

“Këto janë masa që do të zbatohen nga nesër, dhe nëse ato nuk japin rezultate dhe nuk do të jenë të mjaftueshme, do të shkojmë më tej”, tha Vuçiq.

“Nëse mund të vendosja vetë, do ta mbyllja Beogradin dhe do të prezantoja shtetrrethimin”, shtoi ai.

Kur u pyet nëse Beogradi do të mbyllet plotësisht nëse masat nuk japin rezultate, ai deklaroi se nuk ik nga përgjegjësia personale për zbatimin e masave më të vështira dhe shtoi se shëndeti i njerëzve është më i rëndësishmi.

“Nëse masat nuk japin rezultate në 4 ditët e ardhshme, Beogradi do të mbyllet”, tha ai. /Gazeta Sinjali