image Oda e Hotelerisë kërkon të zgjatet orari i gastronomisë dhe të lejohen dasmat e klubet e natës

Biznes

Oda e Hotelerisë kërkon të zgjatet orari i gastronomisë dhe të lejohen dasmat e klubet e natës

news image

Përfaqësuesit e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit kanë kërkuar zgjatjen e orarit të punës të gastronomisë, lejimin e punës për sallat e dasmave dhe klubet e natës, heqjen e orës policore dhe disa kërkesa të tjera.

Kryetari i kësaj, Hysen Sogojeva, bashkë me drejtorët e departamenteve të estradës dhe të sallave të dasmave, Afrim Muqiqi dhe Driton Hoti, sot janë takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi si dhe ministren në detyrë të Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku, ku edhe i kanë parashtruar kërkesat e tyre.

Kërkesat e përfaqësuesve të OHTK-së ishin:

  1. Zgjatja e orarit të punës për të gjitha kategoritë deri në ora 01:00 pasmesnate;
  2. Lejimi i punës për sallat e dasmave dhe clubet, sipas manualit të IKSHPK-së;
  3. Të hiqet ora policore;
  4. Të zgjatet afati për uljen e TVSH% nga 18% në 8% të paktën edhe për 5 vitet e ardhshme;
  5. Të fillojnë organizimet e ahengjeve në bazë të manualit;
  6. Të bëhet përkrahja financiare ndaj bizneseve;
  7. Të bëhet subvencionimi i pagave të punëtorëve;
  8. Të mbulohen shpenzimet e qirave për bizneset nga viti 2020-2021 që kanë punuar pjesshëm;
  9. Të bëhet kompensimi i bizneseve që nuk kanë punuar fare gjatë kësaj kohe;
  10. Për të hyrë në lokale t’u kërkohet certifikata e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19;
  11. testi RT-PCR negativ për COVID-19 jo më i vjetër se 72 orë ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19 në të kundërtën inspektorati të merret me atë biznes;

Sipas njoftimit të kësaj ode, përfaqësuesit e saj, janë zotuar para kryeministrisë se nëse gjendet një alternativë që çdo biznes hoteliero/turistik të punojë njësoj pa u standardizuar, atëherë do t’u bëjnë thirrje çdo pronari të biznesit, në veçanti pronarëve të sallave të ahengjeve të ndryshme, për t’u kërkuar që në rast se duan të hapen dhe të punojnë do t’i respektojnë çdo masë e cila do të miratohet nga qeveria ose në të kundërtën do ta pësojë jo vetëm me dënim por edhe me mbyllje për një kohë të caktuar.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi citohet të ketë thënë se këto kërkesa t’i drejtojë te këshilli ndërministror në mënyrë që të shqyrtohen mundësitë për realizimin e tyre./Gazeta Sinjali/