Një test i Covid-19 kushton mesatarisht 30-35 euro. Një mijë të tillë një ditë më parë, Serbia, dhuroi Kosovës. Kjo ndihmë u bë lajm edhe në Reuters e Neë York Times. Vlera e donacionit kap shifrën e 35 mijë eurove, bazuar në çmimin e testeve.
Drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë, Xhevat Jakupi tregon si është një ditë pune në laboratorin ku testohen rastet për koronavirus. Ai thotë se koha e punës në këtë laborator është nga ora 8:00 deri në 20:00.
Laboratori i vetëm i cili kryen testet për koronavirus në Kosovë punon edhe më gjatë në varësi të situatës.
Mikrobiologu thotë se në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare punojnë shtatë profesionistë.
Ai shprehet se për momentin kanë pajisje të mjaftueshme pasi kanë huazuar aparate të ngjashme edhe nga institucionet tjera.
“Aparatura për momentin është e mjaftueshme por varet nga numri i mostrave që do të na vijnë ditët në vijim”.
Jakupi thotë se testimet e personave nuk po bëhen pa u shfaqur simptoma, pasi sipas tij virusit i nevojiten disa ditë për të shfaqur rezultat.
Mikrobiologu ka folur edhe për numrin e testeve që po bëhen në Kosovë. Ai thotë se një procedurë e tillë është mjaft e kushtueshme dhe varet sa para do të ndajë shteti për të blerë më shumë teste.
“Një testim kushton 30-35 euro. Nëse ka mijëra raste, do të duhet shumë më tepër fonde se sa që janë ndarë tani”, thotë ai për RTVD.
Jakupi megjithatë thotë se Kosova qëndron mirë në këtë shifër testuese krahasuar me vendet e Evropës juglindore dhe sipas tij.
Ndryshe, në Kosovë deri tani janë kryer 4 mijë e 124 testime dhe 480 kanë rezultuar pozitiv, prej tyre 84 janë shëruar, ndërsa 12 e kanë humbur betejën me këtë virus./GazetaSinjali/