image Serbia i ankohet BE-së dhe Quintit që Kurti s’po e lejon referendumin serb në Kosovë

Politikë

Serbia i ankohet BE-së dhe Quintit që Kurti s’po e lejon referendumin serb në Kosovë

news image

Serbia, më 16 janar, do të mbajë referendum për ndryshim të Kushtetutës në pjesën që ka të bëjë me drejtësinë. Këtë referendum, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar ta mbajë edhe në Kosovë, në pjesët ku jetojnë serbët. Por sipas Vuçiq, kjo gjë nuk do t’i lejohet nga institucionet në Kosovë.

Ndonëse në lidhje me këtë referendum, Qeveria e Kosovës ende nuk është deklaruar, Vuçiq disa ditë më parë tha se ka informacione se Qeveria nuk do t’ia lejojë këtë.

E për këtë, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka dërguar letër zyrtare në adresë të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Quintit, ku ka thënë se Kurti po i shkel të drejtat themelore njerëzore të serbëve në Kosovë.

Në adresat e tyre u kemi dërguar një letër zyrtare në të cilën theksojmë se në këtë mënyrë Kurti po shkel të drejtat elementare njerëzore dhe qytetare të serbëve në Kosovë. Dhe u bëjmë thirrje atyre që të përdorin ndikimin dhe kapacitetin e tyre diplomatik për të ndryshuar qëndrimin e Prishtinës për mbajtjen e referendumit”, ka thënë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë për gazetën “Novosti”.

/GazetaSinjali/