Mijëra njerëz duket se janë mbledhur sot në Shtërpcë për të shprehur protestën e tyre ndaj plagosjes së Stefanit 11 vjeçar dhe Milloshit 21 vjeçar nga një ushtar i FSK-së në rrethana ende të pasqaruara. Çka po thonë ata?
Kjo protestë është organizuar nga kryesorët e Listës Serbe, përfshirë Dalibor Jevtiqin.
Kosovo-Online thotë që në Shtërpcë kanë mbërritur edhe serbë nga pjesë tjera të Republikës së Kosovës.
Qytetarët e mbledhur mbajnë pankarta me mbishkrimet “Kurti, fëmijët nuk jua falim!”, “Stefan, zemra e Serbisë – Hero”, “Gjuajtja ndaj Stefanit e Milloshit është plumb në zemër të Serbisë!”, “Evropë, çfarë faji të kanë fëmijët tanë?!” – thanë ata.
Në këtë protestë shihen edhe liderët e Listës Serbe si Goran Rakiq, kryetari i partisë por edhe Sllavko Simiqi.
Goran Rakiq tha mes tjerash se “serbët janë bashkuar prej plagëve të dy të rinjve, Stefanit dhe Milloshit”. Por, ai pati akuza e fjalë të papranueshme edhe ndaj ish shefit të tij, kryeministrit Albin Kurti.
“Terrori i regjimit diktatorial të Albin Kurtit vazhdon,” – tha ai mes tjerash në fjalimin e tij.
Në afërsi janë parë disa patrulla të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it.
Ndërkohë, kundër Listës Serbe një protestë është thirrur në të njëjtën kohë në Mitrovicë të Veriut. Këta protestues tjerë të prirë nga Nebojsha Joviq e kanë akuzuar presidentin serb Vuçiq për “tradhti të lartë” dhe kanë akuzuar politikanët e Listës Serbe – mes tjerash – edhe për “shantazh, kërcënime e torturë”.
Në anën tjetër, seanca gjyqësore ndaj Azem Kurtajt është mbajtur pak më herët dhe vendimi i Gjykatës pritet të jepet pas pak.
Prokuroria ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për Kurtajn, ndërkohë që avokati i tij ka thënë që ai kishte shtënë aksidentalisht në drejtim të dy të rinjve serbë. Sipas avokatit Naim Fetahu, Kurtaj as që e kishte ditur se mund të kishte lënduar dikë nga ngjarja e ndodhur në Shtërpcë.
E gjithë kjo ka ndodhur më 6 janar dhe Serbia menjëherë ka provuar që ta politizojë duke thënë se rasti kishte qenë i motivuar etnikisht.
Këtë rast e kishin dënuar ashpër edhe krerët institucionalë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.