image Separatistët pro-rusë që po 'luftojnë' në Ukrainë

Botë

Separatistët pro-rusë që po ‘luftojnë’ në Ukrainë

news image

Në kohën kur Ukraina ndodhet nën kërcënimin e pushtimit rus, tensionet janë të larta edhe në pjesën lindore të këtij vendi, ku forcat qeveritare luftojnë me separatistët pro-rusë qysh në vitin 2014.

Ndonëse më sporadik viteve të fundit, konflikti ka lënë të vrarë mbi 14,000 njerëz.

Përleshjet janë intensifikuar më 17 shkurt dhe kjo ka rritur shqetësimet se Moska mund ta përdorë situatën si pretekst për të sulmuar Ukrainën në shkallë të gjerë.

Rebelimi separatist

Kur ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, që ishte mik i Moskës, u rrëzua nga pushteti – pas protestave masive në shkurt të vitit 2014 – Rusia u përgjigj duke aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë. Më pas, kryengritja u forcua në lindje të Ukrainës – në rajonin e njohur si Donbas.

Në prill të vitit 2014, rebelët e mbështetur nga Rusia pushtuan atje ndërtesat qeveritare dhe shpallën krijimin e “republikave popullore”.

Pas një muaji, rajonet separatiste mbajtën një votim popullor për të shpallur pavarësinë dhe kërkuan të bëhen pjesë e Rusisë.

Moska nuk e pranoi një gjë të tillë, me shpresën se do t’i përdorte këto rajone si mjet për ta mbajtur Ukrainën nën llupë dhe për ta penguar atë që të anëtarësohet në NATO.

Ukraina dhe Perëndimi akuzuan Rusinë për mbështetjen e rebelëve me trupa dhe armë. Moska e mohoi këtë, duke thënë se rusët që luftuan në lindje të Ukrainës, ishin vullnetarë.

Një ushtar ukrainas në afërsi të frontit të luftës në Luhansk ku forcat qeveritare po luftojnë me separatistët e mbështetur nga Rusia. 21 janar 2022.

Konflikti i ngrirë

Marrëveshja e paqes e vitit 2015 detyroi Ukrainën t’iu jepte status të veçantë rajoneve separatiste, duke i lejuar ato të krijojnë forcën e tyre policore dhe të kenë një rol në emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve vendas.

Marrëveshja parashihte që Ukraina mund të rimerrte kontrollin mbi kufirin afërsisht 200 kilometra me Rusinë në rajonet e kontrolluara nga rebelët, pasi t’i mbante zgjedhjet lokale – të monitoruara nga OSBE-ja.

Shumë ukrainas e shohin marrëveshjen – zbatimi i së cilës ka ngecur – si një tradhti të interesave kombëtare, raporton REL.

Përshkallëzimi i armiqësive

Të enjten, forcat qeveritare të Ukrainës dhe rebelët akuzuan njëri-tjetrin për bombardime intensive përgjatë vijës së kontaktit në Donbas.

Separatistët pretenduan se Ukraina bëri një “provokim në shkallë të gjerë” dhe thanë se ata iu përgjigjën zjarrit.

Ukraina mohoi se ka hapur zjarr dhe tha se separatistët po bombardonin zonat e kontrolluara nga qeveria me artileri të rëndë dhe mortaja.

Komanda ushtarake ukrainase akuzoi se disa predha goditën një kopsht fëmijësh në Stanytsia Luhanska, duke plagosur dy civilë dhe duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike në gjysmën e këtij qyteti.

Misioni vëzhgues i OSBE-së pritet të bëjë vlerësimin për situatën.

/GazetaSinjali/