Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e votës së Etem Arifit ka qenë vendim i mirë për popullin e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Selimi u shpreh se sa herë që mandatet i kthehen sovranit është një gjë e mirë për një shtet.
“Unë mendoj që është një gjë e mirë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, politikisht ka ndodh një gjë e mirë. Sa herë që mandatet i kthehen sovranit është një gjë e mirë për një shtet. Sa herë që ka konfuzione, pengesa politike është mirë që të strukturohen institucionet”, tha ai.
Selimi po ashtu tha se në zgjedhjet e reja, AAK-ja do të shkojë me vetëbesim për shkak të punës së mirë që kanë bërë në kryeministri e ministri.
“Mendoj që është mirë që tash e kemi rastin që të dëshmohemi të gjithë edhe njëherë se sa punë kemi kryer. Aleanca është me vetëbesim që në këto zgjedhje do të hyjë që ka bërë punë shumë të mira edhe me kryeministrin Haradinaj por edhe me punën që e kanë bërë ministrat”, tha Selimi në T7.