Policia e Shtetit ka finalizuar në Tiranë operacionin e koduar “De facto”, në kuadër të hetimeve për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që dyshohet se kanë burim kriminal.
Si rezultat i hetimit pasuror, të zhvilluar me metoda speciale në bashkëpunim me Prokurorinë, është ekzekutuar vendimi i Gjykatës për sekuestrimin e dy apartamenteve dhe një garazhi, me një vlerë tregu rreth 420 mijë euro.
Sipas Policisë së Shtetit, këto pasuri dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i shtetasit me iniciale H. A., 54 vjeç, i dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Hetimet janë zhvilluar në zbatim të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vijojnë për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që mund të jenë përfituar nga veprimtaria kriminale e 54-vjeçarit ose e personave të lidhur me të.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!