image Sekuestrohen atlete me logo të brendeve të njohura në pesë lokacione të Prishtinës, vlera rreth 200 mijë euro

Siguri

Sekuestrohen atlete me logo të brendeve të njohura në pesë lokacione të Prishtinës, vlera rreth 200 mijë euro

news image

Dogana e Kosovës ka zhvilluar një operacion të koordinuar në pesë lokacione në rajonin e Prishtinës, ku janë sekuestruar produkte të dyshuara si të falsifikuara, kryesisht patika që mbanin shenja tregtare të markave të njohura ndërkombëtare, raporton Sinjali.

Në kuadër të angazhimeve për luftimin e tregtimit të mallrave të falsifikuara dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë aksionin e gjerë në bashkëpunim me institucionet kompetente.

“Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme e patikave të dyshuara si produkte të falsifikuara, të cilat mbanin shenja tregtare të markave të njohura ndërkombëtare. Vlera e përafërt e mallrave të sekuestruara vlerësohet të jetë rreth 200,000 euro.”

Sipas njoftimit, të gjitha produktet e dyshuara janë konfiskuar dhe janë vendosur nën mbikëqyrjen e autoriteteve kompetente për procedurat e mëtejshme ligjore.

Veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente, ndërsa rasti është duke u hetuar për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe për të identifikuar personat përgjegjës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/