image Sekretari amerikan i Mbrojtjes flet për herë të parë me homologun rus që kur nisi lufta në Ukrainë

Botë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes flet për herë të parë me homologun rus që kur nisi lufta në Ukrainë

news image

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë të premtën në një bisedë telefonike me homologun e tij rus Sergei Shoigu, e para që kur filloi agresioni rus në Ukrainë, tha Pentagoni.

Sekretari Austin ka bërë disa përpjekje për të folur me Ministrin rus të Mbrojtjes Shoigu që nga fillimi i agresionit gati tre muaj më parë, por zyrtarët thanë se Moska nuk kishte shfaqur interes.

Austin theksoi rëndësinë e mbajtjes së kanaleve të komunikimit, tha në një deklaratë zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.

Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se telefonata, e cila u kërkua nga zoti Austin, zgjati rreth një orë, por nuk solli zgjidhjen e ndonjë çështjeje konkrete dhe as ndonjë ndryshim të drejtpërdrejtë veprimet e Rusisë në Ukrainë, shkruan VOA.

Zyrtari e përshkroi tonin e telefonatës si “profesional”.

Agjencia ruse e lajmeve TASS citoi ministrinë ruse të mbrojtjes të thoshte se telefonata u bë “me iniciativën e palës amerikane”.

“U diskutuan çështjet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, përfshirë situatën në Ukrainë”, tha TASS, duke cituar ministrinë.

/GazetaSinjali/