Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka shtyrë Kinën që ta përdorë ndikimin e saj ndaj Rusisë për ta ndalur luftën në Ukrainë, gjatë bisedimeve me presidentin kinez, Xi Jinping, në Pekin.
Kancelari gjerman tha se të dyja vendet u pajtuan që kërcënimet bërthamore të Rusisë janë të papërgjegjshme dhe shumë të rrezikshme, raporton televizioni BBC.
Presidenti kinez ka refuzuar që ta dënojë pushtimin rus të Ukrainës, por ka thënë se komuniteti global duhet t’i përkrahë përpjekjet për t’i dhënë fund krizës paqësisht dhe i kundërshton kërcënimet për përdorim ose përdorimin e armëve bërthamore.
Kancelari Scholz është udhëheqësi i parë perëndimor që udhëton në Kinë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit dhe i pari që takohet me presidentin kinez që nga fuqizimi i këtij të fundit në pushtet muajin e kaluar në Kongresin Kombëtar të Partisë Komuniste.
Koha e vizitës së tij në Pekin është vënë në pikëpyetje nga shumë figura në Evropë, përfshirë disa anëtarë të qeverisë së tij në Berlin, të cilët brengosen se prania e tij do të shërbejë për ta lustruar reputacionin e brendshëm të presidentit kinez, që po bëhet gjithnjë më autoritar.
Sidoqoftë, kancelari gjerman mendon se problemet globale mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit me Kinën.