image SBASHK i jep ultimatum kryetarit të Kamenicës, kërcënon me grevë - Sinjali

SBASHK i jep ultimatum kryetarit të Kamenicës, kërcënon me grevë

news image

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka njoftuar se viti i ri shkollor 2019/ 2020 do të fillojë normalisht në Kosovë, në përjashtim të komunës së Kamenicës ku pritet të ketë probleme për shkak të një vendimi të kryetarit të kësaj komune për mbylljen e disa shkollave në kuadër të një procesi të ristrukturimit, njofton Sinjali.

Kreu i kësaj komune, Qëndron Kastrati kohë më parë ka marr një vendim për t`i bashkuar disa shkolla, vendim ky i cili po kundërshtohet ashpër nga SBASHK-u.  

Sindikalistët e arsimit i kanë dhënë ultimatum kreut të kësaj komune që ta tërheq vendimin, në të kundërtën, paralajmërojnë se do të hyjnë në grevë.

“Faktikisht ai thirret në një plan të bashkimit të shkollave. Ajo është mbyllje e disa shkollave. Ne, ditën e nesërme kemi lajmëruar se do të shkojmë bashkë mësimdhënësit dhe nxënësit në ato shkolla të cilat ai i ka mbyllë. Në qoftë se ka pengesa për ta vazhduar mësimin normalisht në ato shkolla, të hënën do të hyjmë në grevë në dy orët e para, vetëm në komunën e Kamenicës”, ka thënë për Sinjalin, këshilltari i kryetarit të SBASHK-ut për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri.  

SBASHK-u thotë se në rast se nesër, të hënën, do të përballen me refuzim të kërkesave të sindikalistëve për hapjen e shkollave, do t`i japin afat kryetarit të Kamenicës një javë që të reflektoj dhe ta tërheq vendimin.

“Nëse ai vazhdon ta mban në fuqi vendimin dhe bën përpjekje për ta implementuar atë, pas shtatë ditëve do të shkojmë në grevë të përgjithshme në Kamenicës. Poashtu, ju kemi thënë kolegëve tanë në të gjitha komunat tjera që të përgatiten që në shenjë solidariteti me komunën e Kamenicës që edhe ata të ndërmarrin ndonjë veprim sindikal.

Në përjashtim të Kamenicës, ku pritet të ketë probleme, viti i ri shkollor pritet të fillojë normalisht në mbarë vendin. /Sinjali/


Shpërndaje artikullin