image Ekskluzive: Ky është zyrtari i SHKK-së që gjuajti 8 herë me armën zyrtare në aheng, përfundon në Polici

Siguri

Ekskluzive: Ky është zyrtari i SHKK-së që gjuajti 8 herë me armën zyrtare në aheng, përfundon në Polici

news image

Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve. E shtëna me armë përbën vepër penale dhe jo rrallëherë në raste të tilla janë përfshirë edhe zyrtarët shtetërorë, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur të shtunën në fshatin Maqare të Kamenicës, ku pati të shtëna me armë dhe personi i dyshuar që gjuajti është një zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë Zenel Bajramin, 56-vjeçar, i cili ka përfunduar dje në Polici.

I dyshuari ka gjuajtur me armën zyrtare gjatë një ahengu familjar dhe pasi Policia u njoftua për rastin, doli në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur 8 gëzhoja, që janë konfiskuar si dëshmi për rastin. Ndërkohë, pas shoqërimit për në stacion policor, zyrtari i SHKK-së e ka pranuar se ka përdorur armën zyrtare, e cila është konfiskuar po ashtu.

Pas përfundimit të procedurave në Polici dhe intervistimit të të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/