Kryetari i degës së PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku përsëri ka shkelur masat antiCOVID në fushatën e tij për zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Gazeta Sinjali.
Në fotografitë që ka postuar vetë Lushtaku në llogarinë e tij në Facebook, ai shihet me dhjetëra persona që nuk kanë maska kundër koronavirusit e as distancë sociale mes vete.
Ndër të tjera, ai ka shkruar se në këtë takim, që është zhvilluar në një odë të Mikushnicës në Skënderaj, bashkëbiseduan për shumë çështje të interesit të përgjithshëm.
“Me zemër hapur u pritëm në lagjen Mangjolli në Mikushnicë ku takuam shumë simpatizantë të PDK-së. Bashkëbiseduam për shumë çështje të interesit të përgjithshëm. Ata janë të vendosur për të mbështetur PDK-në dhe kandidatët tanë, pasi besimi i tyre ndaj nesh është i pazëvendësueshëm”, shkroi Lushtaku në Facebook.
Sami Lushtaku vazhdimisht ka shkelur masat kundër COVID-19 dhe kështu nuk i ka respektuar vendimet e Qeverisë së Kosovës.