image Rusia u mundëson shtetësinë banorëve të territoreve të pushtuara ukrainase

Botë

Rusia u mundëson shtetësinë banorëve të territoreve të pushtuara ukrainase

news image

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret që i lejon qytetarëve të dy rajoneve të Ukrainës, Kherson dhe Zaporizhia, pjesë e territoreve të së cilave janë pushtuar nga forcat ruse, që të përfitojnë nënshtetësi ruse.

Në dekretin e firmosur më 25 maj, thuhet se banorët e dy rajoneve tashmë mund të pajisen me pasaportë ruse, nëpërmjet një procedure të thjeshtëzuar që u zbatua në vitin 2019-të për banorët e rajoneve të Donjeckut dhe Luhanksut, të cilat kontrolloheshin nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Pasi Rusia nisi pushtimin e saj ndaj Ukrainës më 24 shkurt, trupat e saj arritën të zaptonin një pjesë të madhe të rajonit të Kherson, përfshi edhe kryeqytetin, dhe rreth gjysmën e territorit në rajonin e Zaporizhia, me kryeqytetin e saj që është ende nën kontrollin e forcave ukrainase.

Autoritetet e vendosura nga Rusia në Krime, gadishullin që ndodhet në Detin e Zi të aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Moska në vitin 2014, kanë deklaruar se janë gati të vendosin qendra për dhënien e pasaportave për qytetarët ukrainas që zgjedhin të marrin pasaporta ruse.

Ndërkohë, Moska deklaroi se po përgatit masa paraprake për t’i përdorur si kundërpërgjigje ndaj “veprimeve armiqësore” të mediave në gjuhën angleze, kundrejt mediave ruse.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova u shpreh më 25 maj në Moskë, se Rusia “do t’i përgjigjet gjithmonë të gjitha veprimeve armiqësore ndaj mediave ruse”, shkruan REL.

Pasi Rusia nisi pushtimin e saj të Ukrainës, më 24 shkurt, Bashkimi Evropian pezulloi transmetimin e disa mediave shtetërore ruse, duke vënë në dukje mbulimin e tyre të njëanshëm të luftës.

/GazetaSinjali/