Rusia ka përdorur raketat e reja hipersonike Kinzhal për herë të parë në Ukrainë të premten, duke shkatërruar një depo të armëve në perëndim të vendit, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.
“Sistemi raketor i aviacionit Kinzhal me raketa aerobalistike hipersonike ka shkatërruar një depo të madhe nëntokësore ku ruheshin raketa dhe municione të aviacionit në fshatin Deliatin në rajonin Ivano-Frankivs”, tha të shtunën Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Rusisë, Ria Novosti tha se kjo është hera e parë që janë përdorur armët hipersonike Kinzhal, në atë që Moska e quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Në kundërpërgjigje, Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra kundër Moskës.