image Rusia: Rreth 1 mijë ukrainas janë dorëzuar në fabrikën e çelikut Azovstal

Botë

Rusia: Rreth 1 mijë ukrainas janë dorëzuar në fabrikën e çelikut Azovstal

news image

Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se rreth 1000 ushtarë ukrainas janë dorëzuar në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol. Zëdhënësi i ministrisë Igor Konashenkov tha sot se gjithsej 959 ushtarë ukrainas, duke përfshirë 80 të plagosur, kishin dorëzuar armët që nga 16 maji, shkruan CNN.

Ai ripohoi se 51 të plagosur u dërguan në spitalin në Novoazovsk, i cili është në rajonin e vetëshpallur të Republikës Popullore të Donetskut (DPR).

Konashenkov tha se vetëm gjatë ditës së kaluar 694 “militantë” ukrainas ishin dorëzuar në Azovstal. DPR dha shifra të ngjashme, duke thënë se gjithsej 962 ushtarë ukrainas janë dorëzuar që nga 16 maji.

Pala ukrainase nuk ka dhënë një përditësim për numrin e atyre që janë larguar nga Azovstal dhe as për statusin e negociatave për shkëmbimin e tyre me të burgosurit rusë. Shumica e ushtarëve të Azovstal duket se janë dërguar në Olenivka, një qytet afër vijave të frontit, por në territorin e kontrolluar nga DPR.

Ukraina tha se pret të kryejë një shkëmbim të robërve rusë të luftës për ushtarët e plagosur rëndë.

/GazetaSinjali/