Rusia po jep toka falas për shtetasit e saj në rajonin e Arktikut, në përpjekje për të zhvilluar rajonin e veriut të pasur me burime natyrore. Ata mund të ndërtojnë shtëpi apo të hapin bizneset e tyre atje. E gjithë kjo është rregulluar përmes një projektligji të hartuar nga qeveria ruse.
Presidenti Vladimir Putin i ka dhënë përparësi pjesës ruse të Arktikut. Ai po e rindërton infrastrukturën, e ka rritur praninë ushtarake dhe po përpiqet të bëjë një rrugë të rëndësishme detare nga veriu.
Projektligji i hartuar nga Ministria e Burimeve Kombëtare parashikon një program në të cilin banorët e Arktikut Rus mund të merrnin deri në një hektarë tokë falas për të ndërtuar një shtëpi ose ta përdorin atë për biznes, siç është turizmi.
Në gjashtë muaj, programi do të bëhej i hapur për të gjithë rusët, tha ministria. Para se të bëhet ligji, propozimi duhet të miratohet nga parlamenti dhe të nënshkruhet nga Putin.
Sipas propozimit, secila prej rajoneve të Arktikut do të përcaktonte tokat që do të viheshin në dispozicion për programin. Këto toka do të jepeshin për pesë vjet dhe pas kësaj periudhe pronarët e tyre do të duhej të regjistroheshin si pronarë ose t’i merrnin ato me qira afatgjatë.
Moska nisi një iniciativë të ngjashme në Lindjen e Largët në vitin 2016 për të forcuar ekonominë dhe popullsinë e skajit lindor të saj me popullsi të paktë.
“Padyshim që do të jetë një faktor në tërheqjen e banorëve të rinj të Arktikut, përfshirë fillimin e bizneseve të vogla,” tha guvernatori i rajonit Murmansk.
Rreth 90 përqind e njerëzve të Arktikut rus jetojnë në qytete të mëdha si Murmansk, Norilsk dhe Arkhangelsk.
Moska forcoi praninë e saj në rajon gjatë epokës Sovjetike, por industria e saj filloi të bjerë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991, çka çoi edhe në një rënie të popullsisë. /Gazeta Sinjali