Presidenti rus, Vladimir Putin dhe aleati i tij, udhëheqësi bjellorus, Aleksandër Lukashenko, kanë zgjatur stërvitjet ushtarake të cilat do të përfundonin të dielën.
Në një deklaratë u përmend “përkeqësimi i situatës” në Ukrainën lindore si një arsye për mbajtjen e rreth 30 mijë trupave ruse në Bjellorusi.
Ky veprim do të shtojë frikën se Rusia planifikon një pushtim të Ukrainës, e cila ndan një kufi të gjatë me Bjellorusinë.
Udhëheqësit perëndimorë kanë akuzuar Moskën se po kërkon një pretekst për të dërguar trupa. Ndërkaq Rusia ka mohuar se planifikon të pushtojë fqinjin e saj, shkruan BBC.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se zgjatja e stërvitjeve ushtarake tregon se bota është në prag të luftës.
Korrespondentja e BBC-së për Evropën Lindore, Sarah Rainsford, tha se njoftimi i bërë nga Ministria e Mbrojtjes së Bjellorusisë, është një tjetër sinjal i fortë se Rusia nuk është e gatshme të tërhiqet në qëndrimin e saj me vendet perëndimore për Ukrainën.