image Rusia me propagandë në gjithë botën, investon shumë para edhe në Ballkanin Perëndimor

Rajon

Rusia me propagandë në gjithë botën, investon shumë para edhe në Ballkanin Perëndimor

news image

Rusia me propagandë në gjithë botën përball qasjes së butë të shteteve perëndimore. Një ndikim të madh me propagandë ajo ka edhe në Serbi, Bosnje, Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri e Kosovë.

Kurse, Kisha Ortodokse është pika e fortë e Rusisë, të cilën po e shfrytëzon për ‘t’i futur duart’ në politikën e Ballkanit.

Kështu u tha në konferencën “Ndikimi rus në Ballkan – Kriza e Ukrainës”, që u mbajt sot në Prishtinë. Aty u tha po ashtu se Rusia është e interesuar në krijimin e tensioneve, në ndërprerjen e kohezionit social dhe në krijimin e mosbesim në institucione dhe në demokraci.

Ljubomir Filipoviq, gazetar nga Mali i Zi tha se Mali i Zi e Bosnja janë shumë të ndikuar nga propaganda ruse.

“NATO-ja na mbron neve, është mirë që jemi larg Rusisë. NATO na mbron nga Rusia. Dje kemi marrë një sulm kibernetik nga Rusia, sipas hakerëve tonë… Nuk mund të më jepnin një kupton fiskal për shkak të atij sulmi. Është e frikshme çfarë po bën Rusia.

Kur flitet për kërcënimet e sigurisë që po ndodhin në Kosovë, është e frikshme që diçka e tillë sikurse lufta në Ukrainë, mund të ndodh dhe këtu… Ne jemi shumë të ndikuar nga propaganda ruse. Kisha Ortodokse është kryesorja që Rusia e shfrytëzon për ‘t’i futur duart’ në politikën e Ballkanit. Ata janë të interesuar në krijimin e tensioneve, dhe janë fokusuar gjithashtu në ndërprerjen e kohezionit social dhe të krijojnë mosbesim në institucione dhe në demokraci, dhe ia kanë dal shumë mirë”, tha ai.

Ai shtoi se ka qytetarë që ndihen të tradhtuar me qasjen e perëndimit karshi Putinit e Vuçiqit.

“Çka më frikëson më së shumti është qasja e Perëndimit përball kërcënimit rus. Strategjia paqësore që është praktikuar në rastin e Rusisë është praktikuar edhe në rastin e Vuçiqit dhe ajo ka dhënë rezultate negative.

Kjo qasje e Perëndimit po e dëmton besimin e shteteve tjera ndaj boshnjakëve, malazezëve etj. Perëndimi duhet ta dijë që propaganda serbe nuk mund të ndahet nga Kisha Ortodokse. Bota serbe është kopje e botës ruse… Duhet të punojmë që qeveria serbe të krijojë një stabilitet rajonal, dhe duhet të ndalojmë së shtiruri se Serbia nuk është pjesë e propagandës ruse”, tha ai.

Gazetarja nga Ukraina, Daria Mescheriakova tha se Rusia po terrorizon gjithë botën, derisa shtoi se propaganda ruse po e bën punën e saj.

“Rusia dëshiron të shkatërrojë popullatën jo vetëm vendin (Ukrainën). Agjenda e Rusisë është që të insistojë që të dy palët janë fajtore duke thënë se ‘kjo është një çmenduri që po bëhet nga të dy palët’… Kjo është një narrativë e re ruse…

Rusia ka investuar shumë para vitet e kaluara, sidomos në politikanët e djathtë në mbarë botën. Të gjithë ata thonë se nëse ndalojnë furnizimet e Rusisë, atëherë gjithçka do të ndalet. Ata investojnë shumë para në agjendën e tyre edhe këtu në Ballkan, sepse ata dëshirojnë që bota të destabilizohet, që të mbjellin dyshime. Ky është synimi i tyre, që njerëzit të dyshojnë. Ata synojnë që të bindjen botën se është faji i Ukrainës. Tash Putini ka nevojë për dialog sepse nuk ka kapacitete për kundërofensivë”, tha ajo.

Dietmar Pichler, ekspert i dezinformatave në Austri, ka thënë se po ashtu edhe shteti i Austrisë është ndikuar shumë nga propaganda ruse.

Ruslan Trad, studiues i Sigurisë bëri një krahasim të dezinformatave ruse në Siri, Ukrainë dhe Ballkan.

Ai tha se në Bullgari janë gjetur 700 ueb faqe që kanë shpërndarë pika të bisedimeve se lufta në Ukrainë është veç një operacion.

“Në Bullgari kemi gjetur 700 ueb faqe që kanë shpërndarë pika të bisedimeve së lufta në Ukrainë nuk është luftë por operacion…Propaganda që vjen nga Kremlini është e njëjtë si në Siri, Libi…vetëm ndërron aspekti lokal…. Qeveritë tona duhet të bashkëpunojnë si një front i përbashkët kundër fushatave të tilla, sidomos nëse vazhdon lufta në Ukrainë për disa vite”, thotë ai.

Më tej, ai thotë se në Bullgari nuk kanë fushata konkrete për t’iu kundërvënë propagandës as në nivel vendor, sepse nuk kanë faqe që bëjnë verifikim e fakteve.

/GazetaSinjali/