Negociatorët rusë dhe ukrainas kanë rënë dakord se një armëpushim i përhershëm në Ukrainën lindore duhet të respektohet “pa kushte”. Njoftimi erdhi pas bisedimeve disa orëshe në Paris.
Atje u zhvillua një bisedë katërpalëshe midis përfaqësuesve nga Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca.
Kryenegociatori i Moskës, Dmitry Kozak tha se armëpushimi duhet të respektohet “pa kushte”, por se shumë çështje të tjera në Ukrainën lindore mbeten të pazgjidhura, raporton CNN.
Kurse negociatori ukrainas, Andriy Yermak bëri të ditur se të gjitha palët ishin në mbështetje të një armëpushimi të përhershëm dhe Ukraina ishte e gatshme të negociojë gjatë gjithë kohës për të parandaluar luftën dhe për të de-përshkallëzuar tensionet rreth kufirit.
Sipas tyre, bisedimet do të rifillonin pas rreth dy javësh në Berlin.