Të enjten Rusia tha se bisedimet me NATO-n dhe ShBA-në janë të pasuksesshme, transmeton Gazeta Sinjali.
Sipas rusëve, shkak i dështimit të këtyre bisedimeve janë mosmarrëveshjet në çështje themelore.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se projektligji për sanksione është “ekstremisht negativ” dhe se koha në të cilën është paraqitur duket si përpjekje për t’i bërë trysni Rusisë.
Bisedimet, që të enjten u zhvendosën në Vjenë për një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, janë të përqendruara rreth një vargu kërkesash për sigurinë, të cilat Moska ia ka paraqitur Perëndimit përderisa ka grumbulluar trupa afër Ukrainës.
Në anën tjetër, projektligji i paraqitur për sanksione, i përkrahur nga Shtëpia e Bardhë, do të shënjestronte zyrtarë të lartë qeveritarë e ushtarakë të Rusisë, përfshirë Presidentin Vladimir Putin, si dhe institucione kyçe bankare, nëse Moska përfshihet në veprime armiqësore kundër Ukrainës.