Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të shtunën tha se personeli i forcave detare britanike e ka kryer shpërthimin në gypat e gazsjellësit “Rrjedha Veriore” muajin e kaluar, duke akuzuar drejtpërdrejt një vend udhëheqës të NATO-s për sabotimin e infrastrukturës kritike ruse.
Sidoqoftë, ministria ruse nuk paraqiti dëshmi për këtë pretendim, raporton agjencia “Reuters”.
“Sipas informatave në dispozicion, përfaqësues të këtij njësiti të forcave detare britanike morën pjesë në planifikimin, ofrimin dhe zbatimin e një sulmi terrorist në Detin Baltik më 26 shtator këtë vit – duke i hedhur në erë gypat e gazit të “Rrjedhës Veriore 1” e “Rrjedhës Veriore 2”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar refuzoi të komentonte menjëherë për këtë akuzë.
Rusia më parë e ka fajësuar Perëndimin për shpërthimet e muajit të kaluar në gypat e gazsjellësve “Rrjedha Veriore 1” e “Rrjedha Veriore 2”, që kalojnë nëpër fundin e Detit Baltik.
Megjithatë, Rusia kurrë nuk ka ofruar hollësi për atë se kush është përgjegjës për dëmtimin e gazsjellësve, të cilët dikur ishin rrugët më të mëdha për dërgimin e gazit rus në Evropë.