Forcat ruse qëlluan me predha në rajonet Luhansk dhe Dnipro të Ukrainës herët më 10 prill, duke goditur disa ndërtesa, thanë zyrtarët ukrainas.
Në qytetin qendror të Dnipros, një person u plagos kur një ndërtesë u godit, tha guvernatori rajonal Valentyn Reznichenko.
Granatimet ndezën një zjarr që përfundimisht u shua, shtoi guvernatori.
Një shkollë dhe një ndërtesë shumëkatëshe u granatuan në qytetin Sievierodonetsk në rajonin e rrethuar të Luhansk, shkroi në Telegram guvernatori i provincës Serhiy Hayday.
“Për fat të mirë, nuk ka viktima”, tha Hayday.
Guvernatori tha gjithashtu se banorët e Luhanskut do të kenë nëntë trena më 10 prill për të dalë nga rajoni ku, sipas zyrtarëve ukrainas, granatimet janë shtuar ditët e fundit dhe më shumë forca ruse kanë mbërritur, raporton REL.
Ai tha se rreth 30 për qind e banorëve mbeten ende në qytete dhe fshatra në të gjithë rajonin dhe u është kërkuar të evakuohen.