Për herë të parë, Televizioni Publik i Kosovës ka vendosur të mos e përcjellë deri në fund procesin e numërimit të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Derisa Lëvizja Vetëvendosje po prinë kur duhet të numërohen edhe rreth 10% të votave, RTK ka zgjedhur ta transmetojë një film 14+, shkruan Gazeta Sinjali.
Mediumi publik ka qenë i pari që ka kumtuar rezultatin kur janë numëruar shumica e votave në zgjedhjet e kaluara. Kjo ka ndryshuar këtë herë pa ndonjë arsyetim.
Ndonëse sot gjatë tërë ditës RTK e ka përcjellur direkt procesin e zgjedhjeve, pas numërimit të shumicës së votave, ata kanë vendosur që ta ndalin edicionin special të zgjedhjeve.
Kjo nuk u la pa u vënë re edhe nga shumë qytetarë të cilët përmes rrjeteve sociale reaguan disa me mllef e disa me ironi për mediumin publik.
Mbetet të shihet nëse RTK do t’i njoftojë për rezultatet preliminare të këtyre zgjedhjeve qytetarët të cilët e mirëmbajnë atë përmes taksave. /Gazeta Sinjali/