Zyra Kombëtare e Auditimit përmes një njoftimi për media kanë reaguar ndaj Radio Televizionit të Kosovës, pasi këta të fundit e kanë liruar nga detyra një udhëheqës të një departamenti me një prej arsyetimeve se s’ka bashkëpunuar me ZKA-në.
Siç thuhet në njoftimin, ekipet e ZKA-së që janë duke e kryer auditimin nuk kanë njoftuar për ndonjë shqetësim apo vonesë në pranimin e dokumenteve nga zyrtari që është liruar nga detyra.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, për këtë çështje i ka dërguar letër Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, duke i kërkuar që të mos e përfshijnë ZKA-në në vendimmarrjen e brendshme, dhe ka theksuar se Zyra e Auditorit të Përgjithshëm do të dalë me një raport të përgjithshëm vetëm pasi të jenë analizuar të gjitha raportet.
“Prandaj, deri në publikimin e raporteve, ju lutemi që të rezervoheni nga përfshirja e ZKA-së në çfarëdo vendimmarrje në politikat tuaja të brendshme”, ka thënë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në shkresën e saj drejtuar Ahmetxhekajt.
Reagimi i plotë:
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes kësaj komunikate për media njofton opinionin publik se aktualisht është në fazën finale të auditimit financiar dhe të performancës të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit në sektorin publik, ZKA-ja nuk shpalos asnjë informatë apo nuk komenton lidhur me një auditim para se ai të ketë kaluar të gjitha fazat dhe të bëhet final.
Duke marrë parasysh disa lajme në media se një udhëheqës departamenti në kuadër të RTK-së është liruar nga detyra dhe një nga pikat e vendimit ishte mos bashkëpunimi me ZKA-në, ju njoftojmë se Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka dërguar shkresë Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, përmes së cilës e ka falënderuar stafin e RTK-së për bashkëpunimin gjatë procesit të auditimit dhe ka konfirmuar se ekipet që janë duke e kryer auditimin në RTK nuk kanë raportuar ndonjë shqetësim për vonesë në pranimin e dokumenteve nga zyrtari i liruar nga detyra.
Znj. Spanca ka bërë me dije se pasi të analizohen rezultatet e auditimit, ZKA-ja përmes raportit të auditimit do t’i japë rekomandimet në mënyrë të shkruar se çfarë veprimesh duhet të ndërmerr RTK-ja.“Prandaj, deri në publikimin e raporteve, ju lutemi që të rezervoheni nga përfshirja e ZKA-së në çfarëdo vendimmarrje në politikat tuaja të brendshme”, ka thënë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në shkresën e saj drejtuar z. Ahmetxhekaj.