image MASHTI i pagoi anëtarët e komisioneve me pagesë shtesë për punë gjatë orarit

Arsim

MASHTI i pagoi anëtarët e komisioneve me pagesë shtesë për punë gjatë orarit

news image

Ministria e Arsimit ka paguar në vitin 2020, tetë anëtarë të komisioneve me pagesë shtesë, edhe pse takimet e komisioneve në të cilat kanë marrë pjesë, ishin mbajtur gjatë orarit të rregullt të punës. Me këto pagesa, MASHTI e ka dëmtuar buxhetin për mbi 5 mijë e 617 euro, shkruan Sinjali.

Sipas nenit 80 të Ligjit për menaxhimin e financave publike nuk lejohet kompensimi shtesë nëse një punonjës, shërbyes civil ose zyrtar i një autoriteti publik ose organizate buxhetore, sipas një akti të Qeverisë, kërkohet që të shërbejë në një komision, bord ose organ apo autoritet tjetër publik. Shërbimi konsiderohet pjesë e detyrave të obligueshme të postit të cilin e mban punonjësi, shërbyesi civil ose zyrtari i sipër cekur.

Sipas Auditorit, nuk kishte dëshmi se anëtarët e këtyre komisioneve kishin punuar jashtë orarit të rregullt të punës, andaj nuk do të duhej të merrnin kompensime shtesë.

Këto komisione ishin emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Ministri.

MASHTI siç duket në këtë rast nuk ka marrë parasysh ndalesat ligjore për këto lloje të kompensimeve.

Në raportin vjetor për ministrinë e Arsimit, thuhet se pagesat e realizuara ndaj punonjësve nuk janë të mbështetura me bazë ligjore, dhe si të tilla, mund ta dëmtojnë buxhetin e ministrisë për vlerën e shpenzuar.

/GazetaSinjali/