Qeveria franceze ka njoftuar se do t’ua rrisë pagat e punonjësve të shëndetësisë, duke akorduar një fond të paprecedentë prej 8 miliardë eurosh. Ujdia u nënshkrua të hënën me sindikatat tregtare pas 7 javësh negociata.
Vlerësimet publike nuk kanë munguar ndaj atyre që luftuan në vijën e parë të betejës kundër COVID-19, por punonjësit e shëndetësisë kërkuan më shumë, duke mbajtur protesta për të përfituar rritje pagash dhe financa më të mira për spitalet.
Pas një hezitimi fillestar, qeveria pranoi t’i rriste pagat për infermierët, mjekët dhe stafin joshëndetësor të spitaleve mesatarisht me plus 183 euro në muaj. Marrëveshja e pranuar nga sindikatat, u cilësua si një moment historik i sistemit shëndetësor nga kryeministri francez, Jean Castex.
“Ky është një moment historik për sistemin tonë të shëndetësisë. Shteti ka akorduar një buxhet prej më shumë se 8 miliardë eurosh nga i cili do të përfitojë i gjithë personeli”, u shpreh kryeministri Jean Castex.
Vendimi për rritjen e pagave vjen një ditë para Ditës së Bastijës, festa kombëtare gjatë së cilës nuk do të mungojnë homazhet për përpjekjet e punonjësve të shëndetësisë gjatë pandemisë. Aktivitetet këtë vit do të jenë më pak pompoze se zakonisht, ndërsa kufizimet për frenimin e koronavirusit vazhdojnë të mbeten në fuqi. Një paradë do të zhvillohet para “Place de Laconcorde” në Paris, ku rreth 1400 infermiere, mjekë dhe punonjës të shëndetësisë, do të jenë të ftuar nderi. Nuk do të mungojë as spektakli i fishekzjarrëve në kullën Eiffel. /Gazeta Sinjali