Në tre muajt e parë të këtij viti është rritur numri i vullnetarëve për të dhuruar gjak në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë.
Safete Maliqi – Qorrmemeti, shefe e Njësisë së Dhurimit të Gjakut, tha se është rritur numri për 1.000 dhurues më tepër, krahasuar me vitin e kaluar.
“Në bazë të raporteve që përcjellim vazhdimisht shohim se raporti me vitin e kaluar të tre mujorit të parë të vitit të kaluar dhe tre mujorit të këtij viti, numri i dhurimit të gjakut është rritur në krahasim me vitin e kaluar për 1.000 dhurues më tepër”, tha ajo për EO.
Ajo shtoi se përveç pacientëve që trajtohen me COVID-19, ka numër të madh të të shtrirëve nëpër klinika të cilët trajtohen, dhe si terapi për mjekim e kanë gjakun dhe produktet e gjakut.
“Në kohë Ramazani numri i dhurimit është më i vogël për shkak se njerëzit hezitojnë për të ardhur për të dhuruar gjak”, shtoi ajo.
Tutje, Maliqi- Qorrmemeti thotë se vazhdimisht kanë mungesë të grupeve të gjakut.
“Mungesa kemi vazhdimisht të grupeve të gjakut mirëpo ato grupe të cilat na mungojnë ne gjithmonë i kompensojmë duke i ftuar dhuruesit vullnetarë të cilët janë të gatshëm çdo herë për të ardhur për të dhuruar gjak”, tha ajo.
Më tej, ajo u bën thirrje që të gjithë që kanë kaluar përballjen me virusin COVID-19 të paraqiten në këtë Qendër për të dhuruar gjak. /Gazeta Sinjali/