image Rritet numri i viktimave të koronavirusit në Itali, mbi 200 të prekur

Lombardia/ Rritet numri i viktimave të koronavirusit në Itali, mbi 200 të prekur

news image

Një tjetër person i prekur nga koronavirusi ka ndërruar jetë në Itali, duke e çuar në 5 numrin e viktimave.

Mësohet se personi që ka ndërruar jetë është një 88-vjeçar nga Lodinjano. Lajmi është konfirmuar nga kreu i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli, ndërsa deri tani nuk ka të dhëna nëse viktima kishte patologji të mëparshme. Edhe personi i katërt, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, ishte një i moshuar 84-vjeçar nga qyteti i Bergamos.

Italia renditet e treta mes vatrave kryesore të virusit në botë, pas Kinës dhe Koresë së Jugut. Deri tani janë regjistruar më shumë se 200 raste të prekurish.

Masat e ndërmarra nga autoritetet lokale, për të vënë nën kontroll epideminë, përfshijnë 50 mijë persona. Komunat në karantinë janë 11, ndërsa në Lombardi janë mbyllur shkollat dhe ndaluar tubime e aktivitete që parashikojnë grumbullime njerëzish, ndërsa zonat komerciale dhe argëtuese si klubet apo diskotekat do të ulin qepenat pas orës 18:00.

Qyteti kryesor i rajonit, Milano, duket i boshatisur, me trenat dhe autobusët që qëndrojnë në stacione. Gjithashtu në Veneto, Piemonte, Liguria dhe Emilia Romagna po merren masa të ngjashme në Lombardinë.

Postblloqe rrugore janë vendosur në hyrje të 10 qytezave të Lodinjanos, një prej vatrave kryesore të koronavirusit. Në rrugët që çojnë për në zonën e kuqe kanë nisur procedurat e filtrimit. Forcat e rendit paralajmërojnë automobilistët se nëse vendosin të hyjnë, nuk do të kenë më mundësinë të dalin.

Qytetarët janë përfshirë nga paniku dhe kanë mësyrë supermarketet, të cilat thuajse janë zbrazur. Në rrjetet sociale publikohen vazhdimisht imazhe nga ata që duan të blejnë ushqime, por që i gjejnë të boshatisura raftet, ashtu si në romanet apo filmat apokaliptikë.