image Tragjike në Itali - U fut në lumë për të shpëtuar djalin e tij, 38-vjeçari merret nga rryma e ujit dhe humb jetën

Evropë

Tragjike në Itali – U fut në lumë për të shpëtuar djalin e tij, 38-vjeçari merret nga rryma e ujit dhe humb jetën

news image

Një ngjarje tragjike është shënuar në Itali, ku një 38-vjeçar humbi jetën pasi u hodh në lumin Tagliamento për të shpëtuar djalin e tij të vogël, i cili ishte marrë nga rryma.

Ngjarja ndodhi pranë Ronchis di Latisana, në provincën e Udines, nën viaduktin e autostradës A4. Alarmi u dha nga kalimtarë të rastit, të cilët njoftuan shërbimet e emergjencës pasi panë disa persona në vështirësi në ujë.

Sipas autoriteteve italiane, viktima ishte një murator 38-vjeçar, me origjinë nga Baku i Azerbajxhanit, i cili jetonte në Pontebba.

Raportohet se ai u hodh në lumë pasi djali i tij 5-vjeçar e gjysmë u mor nga rryma. Babai arriti ta nxirrte të birin në breg, ndërsa dy vajzat e familjes, 9 dhe 11 vjeçe, si dhe nëna e tyre, u ndihmuan nga persona që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.

Menjëherë pas shpëtimit të djalit, 38-vjeçari u zhduk në ujërat e lumit.

Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit, një helikopter dhe ekipet e zhytësve. Pas disa orësh kërkime, trupi i pajetë i burrit u gjet në bregun tjetër të lumit Tagliamento.

Ndërkohë, djali u transportua me helikopter në spitalin e Udines, pasi kishte pësuar sindromë të rëndë mbytjeje. Mjekët kanë konfirmuar se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/