image Rriten çmimet e konsumit, varfërohet xhepi i qytetarëve

Sociale

Statistika/ Rriten çmimet e konsumit, varfërohet xhepi i qytetarëve

news image

Në Kosovë janë rritur sërish çmimet e produkteve bazike të konsumit ditorë, përkundër që pagat kanë shënuar një ngritje simbolike.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.5% në muajin gusht 2019, krahasuar me muajin korrik 2019.

Sipas raportit më të ri të ASK-së, kjo shpjegohet me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it qumësht, djathë dhe vezë (5.4%); kafe, çaj dhe kakao (3.7%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2.6%), etj.

Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupi i COICOP-it perime me 2.6%, me një ndikim të këtij nëngrupi prej minus 0.1% në IHÇK.

Shkalla vjetore e inflacionit në gusht 2019, me muajin gusht 2018 ishte 2.7%. Kjo shpjegohet me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it bukë dhe drithëra (14.0%); mish (4.1%); qumësht, djathë dhe vezë (2.8%); vajra dhe yndyra (1.4%), etj.

Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it pemë (-3.7%); shërbime për transport (-5.0%)-(rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.2 për qind) në IHÇK.

Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk jep shpjegim konkret për faktorët që po ndikojnë në rritjen e vazhdueshme të çmimeve.

Ndërsa, përfaqësuesit e bizneseve rritjen e çmimeve e ndërlidhin edhe me  taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, përkundër që Qeveria është zotuar për të mbajtur nën kontroll ngritjen e çmimeve pas taksës.

 “Taksa ka ndikuar në ngritjen çmimeve të disa shërbimeve që lidhen drejtpërsëdrejti me konsum, por janë edhe faktorët tjerë që kanë ngritur çmimet në konsum, siç është ngritja e çmimeve në vendet prej nga Kosova importon produktet”, ka deklaruar Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini.

Përkundër që pagat në sektorin publik kanë shënuar një rritje simbolike, ngritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve bazike të konsumit ditorë, po e varfëron xhepin e qytetarëve./Sinjali/