Një aeroplan biznesi, që nuk po përgjigjej e po fluturonte mbi kryeqendrën e SHBA-së, Washington, të dielën, është rrëzuar në Virxhinia.
Një aeroplan luftarak ishte vënë në përcjellje të aeroplanit që nuk po reagonte, ndërsa nga ky aeroplanë ishte dëgjuar edhe një zë i fuqishëm mbi Washington.
Disa orë më vonë, Policia ka njoftuar se janë gjetur mbetjet e aeroplanit, por nuk ka të mbijetuar.
Aeroplani “Cessna Citation” ishte nisur nga Tennessee të dielën dhe po shkonte në drejtim të aeroportit “MacArthur” në Long Island. Pashpjegueshëm, aeroplani ndërroi destinacion e po shkonte në drejtim të Washington DC para se të përplasej në terrenin malor në afërsi të Montebellos në Virxhinia rreth orës 15:30. Nuk është bërë e qartë se sa persona ishin në aeroplan, apo pse u ndërrua destinacioni.
Një aeroplan luftarak F-16 ishte vënë në ndjekje. Është njoftuar se aeroplani ishte urdhëruar të fluturonte me shpejtësi të zërit, që krijoi një tingull sikur shpërthimi në Washington, e po ashtu në Virxhinia e Maryland. /AP/