Dy persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan i vogël u rrëzua dhe shpërtheu në flakë gjatë përpjekjes për t’u ulur në një aeroport në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, të enjten, kanë bërë të ditur autoritetet.
Aksidenti ndodhi rreth orës 13:00 sipas kohës lokale, pranë Aeroportit Bemowo, në pjesën perëndimore të qytetit.
Sipas shërbimeve të zjarrfikësve, aeroplani ka dalë nga pista, është përplasur me një ndërtesë dhe më pas është përfshirë nga flakët. Të dy personat që ndodheshin në bord kanë humbur jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, dy persona të tjerë që ndodheshin pranë zonës së aksidentit kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për trajtim në spital, ka bërë të ditur Lukasz Darmofalski nga Komanda Rajonale e Shërbimit Shtetëror të Zjarrfikësve.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar katër ekipe zjarrfikësish, të cilët kanë arritur të shuajnë zjarrin dhe të sigurojnë zonën e aksidentit.
Shkaqet e rrëzimit të aeroplanit mbeten ende të panjohura, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!