image Rrezik nëpër rrugët e Kosovës, brenda dy ditësh shkaktohen 12 aksidente në trafik

Siguri

Rrezik nëpër rrugët e Kosovës, brenda dy ditësh shkaktohen 12 aksidente në trafik

news image

Mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, mospërshtatja me kushtet atmosferike e shpeshherë edhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar janë disa nga rregullat që vozitësit jo rrallë herë i shkelin. E si pasojë e kësaj, aksidentet dhe vetaksidentet janë të pashmangshme, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se vetëm gjatë ditës së djeshme dhe sot, janë shkaktuar 12 aksidente në komunikacion, ku përpos dhjetëra të lënduarve që përfunduan në spital, një i ri humbi jetën në Pejë pas ndeshjes me një veturë.

Deri te aksidenti me fatalitet në rrugën ‘Beteja e Koshares’ në Pejë, dyshohet të ketë ardhur për shkak të një kthimi të pasigurt të shoferit, i cili me këtë veprim i kishte bllokuar rrugën të riut që po drejtonte motoçikletën. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

E një tjetër aksident i rëndë ku mbetën të lënduar tetë të rinj, ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në udhëkryqin te Menza e Studentëve në Prishtinë. Deri te aksidenti dyshohet se erdhi për shkak të mosrespektimit të dritës së kuqe të semaforit. Si pasojë e lëndimeve të marra, tetë të lënduarit janë dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërsa tek udhëkryqi i rrugës së Prishtinës me rrugën qarkore në Gjilan, ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë dy vetura. Si pasojë e kësaj, një person ka mbetur i lënduar i cili është dërguar për tretman mjekësor në spital. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur si pasojë e mosrespektimit të shenjës  ‘Stop’.

Për shkak të një kyçje të pasigurt në rrugën nacionale Mitrovicë – Prishtinë, ka ndodhur dje një aksident trafiku, ku si pasojë kanë mbetur të lënduar tre persona, ndër ta një fëmijë. Ata janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital dhe më pas janë liruar.

Disa aksidente dje ndodhën edhe në qytetin e Prizrenit.

Në rrugën ‘Avdi Shala’, shoferi i një veture nga pakujdesia ka goditur me derën e veturës së tij një person që po lëvizte me trotinet elektrik. Si pasojë e kësaj, viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka qenë vetë shoferi i veturës ai i cili e ka dërguar për ndihmë mjekësore në spital.

Kurse në fshatin Landovicë të Prizrenit, një veturë ka goditur një këmbësore e cila ishte duke kaluar rrugën. Si pasojë e kësaj, ajo ka pësuar lëndime të rënda trupore, për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Dy aksidente ndodhën edhe te kryqëzimi me rrugën e Ulqinit në Prizren. Aksidenti i parë ka ndodhur në mëngjes rreth orës 09:00, ku si pasojë e një veprimi të pasigurt shoferi i një furgoni ka goditur një furgon tjetër. Nga aksidenti ka mbetur i lënduar një person, i cili është dërguar në spital për tretman mjekësor.

Rreth dy orë më vonë, në vendin e njëjtë ka ndodhur aksidenti tjetër, ku si pasojë ka mbetur i lënduar një person.

E një shofer i në gjendje të dehur ka përfunduar në pranga të Policisë, pasi që shkaktoi aksident trafiku mbrëmë në rrugën ‘Gjergj Sokoli’ në Gjakovë. Përveç ngasjes së automjetit në gjendje të dehur, ai kishte refuzuar bashkëpunimin me Policinë, duke mos zbatuar urdhrat e tyre. Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Gjatë mbrëmjes së kaluar, një aksident ka ndodhur edhe te rruga e Kamenicës, ku ka mbetur i lënduar një person. Aksidenti dyshohet se ka ndodhur për shkak të mosmbajtjes së distancës anësore gjatë përballë kalimit.

Edhe një person që drejtonte motoçikletën është përplasur me një veturë në rrugën ‘Sadulla Brestovci’ në Gjilan. Aksidenti dyshohet se ka ndodhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së motoçikletës me kushtet e rrugës.

Sot rreth orës 10:00 në rrugën ‘Rexhep Bislimi’ në Viti, po ashtu ka ndodhur një aksident trafiku ku një veturë ka goditur tri këmbësore të mitura të cilat po kalonin rrugën në vendin e shënjuar për kalimin e këmbësorëve. Si pasojë e lëndimeve të marra, ato janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Gjilan.

Kujtojmë se aksidentet në trafik janë një dukuri shqetësuese në vendin tone, ku për çdo ditë regjistrohen dhjetëra të tilla në të gjitha qytetet e Kosovës, duke rrezikuar kështu jetën e shoferëve dhe të pjesëmarrësve në trafik.

/GazetaSinjali/