Kosova ende nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës kundër koronavirusit, por tashmë pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive kanë nisur të marrin si terapi mbështetëse, trajtimin me plazmën konvalescente.
Rreth 20 pacientë kanë marrë këtë përbërës të gjakut, por infektologët thonë se ende është herët të flitet për efektet e këtij trajtimi. Ndërsa nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ) thonë se nuk kanë rezerva të mjaftueshme të plazmës së gjakut.
Infektologu i Klinikës Infektive, Izet Sadiku thotë se në javët e fundit ka nisur aplikimi i plazmës konvalescente në këtë klinikë, raporton kosovapress.
“Në dy-tri javët e fundit ka filluar aplikimi i plazmës konvalescente tek ne, ndërsa në vendet tjera e dimë që ka nisur shumë moti. Për efektet është herët me fol, sepse është një numër shumë i vogël i pacientëve dhe nuk mund të jepen rekomandime. Deri 20 pacientë e kanë marrë këtë dozë. Një deri dy doza mund t’u jepen pacientëve që kanë COVID-19”, theksoi Sadiku.
Sa i përket sasisë së grumbulluar të plazmës konvalescente, Bukurije Zhubi, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ), thotë se deri më tani kanë rreth 300 dhurues të plazmës konvalescente, por vetëm 35 prej këtyre dozave i kanë plotësuar kushtet për përdorim.
Kosova në janar ka miratuar Udhëzuesin për trajtim me plazmë konvalescente të pacientëve me COVID-19 si terapi mbështetëse. /Gazeta Sinjali/