image Rreth 150 shtetas kosovarë do të kthehen nga Italia më 31 maj, në mesin e tyre edhe 22-vjeçarja nga Mitrovica

Kosovë

Pandemia/ Rreth 150 shtetas kosovarë do të kthehen nga Italia më 31 maj, në mesin e tyre edhe 22-vjeçarja nga Mitrovica

news image

Shtetasit kosovarë të cilët kanë mbetur në Itali për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 do të kthehen në Kosovë brenda muajit maj, shkruan Gazeta Sinjali.

Kështu bëri të ditur për Gazetën Sinjali zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Arben Rugova, i cili tha se numri i personave në Itali që presin riatdhesim është rreth 150 sosh.

“Fluturimi Itali – Kosovë është konfirmuar dhe do të realizohet brenda muajit maj. Për ditën, orën dhe vendin e nisjes, shtetasit kosovarë që janë në listën emergjente për riatdhesim, do të informohen nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Në mesin e personave që presin riadhesimin është edhe Erza Kusari, 22-vjeçarja nga Mitrovica e cila kishte mbetur e vetme në Itali për muaj të tërë.

Erza për Gazetën Sinjali bëri të ditur se ka pranuar një e-mail nga Ambasada e Kosovës në Itali e cila e ka njoftuar atë se udhëtimi nga Italia në Kosovë do të realizohet më 31 maj. 

“Po, më kanë dërgu e-mail. Vetëm më kanë tregu që qenka organizu udhëtimi nga Italia në Kosovë më 31 maj, për më shumë detaje rreth orës, çmimit të biletës dhe vendit të nisjes më kanë thënë se do të më informojnë me kohë”, tha ajo.

22-vjeçarja nga Mitrovica tregoi se udhëtimi i saj për në Kosovë do të financohet nga familja e saj e cila thotë se ka qenë e gatshme ta ndihmojë me të holla që nga fillimi, por për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia transferimi i të hollave në atë kohë ka qenë i pamundur.

“Familja ka qenë e gatshme të më ndihmojë që nga fillimi, por për shkak se bankat kanë qenë të mbyllura në këtë situatë, transferimi i të hollave ka qenë i pamundur. Është keqkuptuar shumë në media, por unë asnjëherë nuk kam kërkuar mbështetje financiare nga Ambasada në Romë apo institucionet e tjera, e gjitha çfarë kam kërkuar nga to ka qenë ndihma logjistike”, sqaroi Erza./Gazeta Sinjali/