Sipas përllogaritjeve, natën e Vitit të Ri rreth 1 milion njerëz do të mbushin rrugët e sheshit Times në qytetin e Nju Jorkut për të parë uljen e topit të famshëm. Kjo është një traditë që i ka fillimet në vitin 1907, ndërsa vizitorë nga mbarë bota bashkohen për të numëruar sekondat e fundit të ndërrimit të viteve.
Në ditë të zakonshme, numri i madh i njerëzve është arsye e mjaftueshme për të shmangur sheshin Times në qytetin e Nju Jorkut. Për vendasit, mbrëmja e Vitit të Ri është ndoshta dita kryesore për të ndenjur larg tij.
“Është shumë kaotike”, thotë një grua. “Do të ketë shumë njerëz, por sigurisht që do ta ndjekim në televizor”, thotë një tjetër kalimtar.
Në të ashtuquajturin “udhëkryqi i botës”, rreth 1 milion njerëz do të mbushin sheshin për të numëruar sekondat e fundit të 2019, që shënohet nga rënia e topit të famshëm.
Punonjësit po e bëjnë gati topin për momentin final. Robert Stults është teknik me kompaninë “Landmark Signs & Electrical”.
“Shumë përgatitje dhe kontrolle të imta për ngjarjen e vitit, që është argëtim i madh nga kjo lartësi”.
Kolegu i tij nga e njëjta kompani, Paul Alvarado, thotë se ky është vendi i duhur për të festuar Vitin e Ri.
“Ky është qyteti i Nju Jorkut dhe ku ndodh festa e Vitit të Ri”.
Topi është i mbuluar me 2,688 trekëndësha prej kristali që ndriçohen nga brenda nga më shumë se 32 mijë drita LED.
192 trekëndësha të prerë me dorë po zëvendësohen me të reja dhe kanë një tematikë të re çdo vit. Tom Brennan është artizan i punimeve të kristalta me kompaninë Waterford Crystal.
“Tematika e këtij viti është Dhurata e Vullnetit të Mirë dhe ka të bëjë me dashamirësinë dhe ndjenjën e bujarisë. Për gjenerata dhe shekuj të tërë simboli i vullnetit të mirë dhe mikpritjes ka qenë ananasi. Këto fruta ananasi të ndërlidhura në trekëndëshat e kristaltë janë ndërtuar me përpikmëri”.
Që nga debutimi i parë në vitin 1907, modeli i topit ka ndryshuar disa herë. Varianti i ditëve moderne kontrollohet nga kompjuteri dhe ulet me përpikmëri brenda 60 sekondave duke filluar në orën 23:59.
Organizatorët thotë se miliona amerikanë dhe mbi një miliardë të tjerë në të gjithë botën e ndjekin në televizion uljen e topit.
April Fowler dhe vajza e saj udhëtuan nga Karolina e Veriut dhe do të rrinë në të ftohtë mes turmës gjigande për ta parë atë nga afër.
“E kam ndjekur në televizion që kur isha fëmijë. Jam shumë e gëzuar që jam këtu për ta parë me sytë e mi uljen e topit”.
Një festim global i vullnetit të mirë kolektiv, thotë Tom Brennan artizan i kompanisë Waterford Crystal.
“Më pëlqen një gjë dhe shpresoj që edhe të tjerët ta sjellin në Vitin e Ri…të ndalemi për pak momente dhe të shikojmë të mirën në çdo lloj situate, sepse është gjithmonë aty”.
Një moment për të reflektuar ndërsa fillon dekada e re.