image Rrëfimet e dy grave nga Ukraina që së bashku me fëmijët janë strehuar në Prishtinë

Kosovë

Rrëfimet e dy grave nga Ukraina që së bashku me fëmijët janë strehuar në Prishtinë

news image

Maria Vitalievna Kydurko dhe Julija Oleksandriva Obodovskaja nga Ukraina tashmë janë bërë refugjatet e para në Kosovë, pasi u larguan nga luftimet në vendin e tyre.

Ato së bashku me tre fëmijë tashmë janë vendosur në Prishtinë te e afërmja e tyre, Jana Zhdrella e cila është e martuar në Kosovë. Maria dhe Julija vijnë nga qyteti i Vinitsia që gjendet në pjesën qendrore të Ukrainës ndërsa kanë udhëtuar katër ditë me veturë për të mbërritur në Kosovë.

“Unë po e ndjejë vetën sigurt këtu në Kosovë, unë dhe fëmijët e mijë jemi të sigurt por familja ime ka mbetur në Ukrainë përveç motrës sime e cila tashmë ka shkuar në Itali me fëmijët e vet. Në Ukrainë më kanë mbetur nëna dhe e tërë familja. Ata nuk ndihen të sigurt sepse ndërtesat ku ata jetojnë janë të vjetra dhe nuk janë të sigurta”, tha Julija.

Julija thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e saj por gjithmonë mbetet me frikën se një ditë nuk do të mund të hapin më telefonin.

Maria Vitalievna Kydurko thotë se bashkëshortet e tyre kanë mbetur në Ukrainë ndërsa bënë thirrje për mbështetje për vendin e saj.

“Dëshirojmë që më shpejt të kryhet lufta dhe të kthehem në Ukrainë te familja dhe shtëpitë tona. I lusim njerëzit, NATO-n që të mbyll vijën ajrore për të ndalur bombardimet sepse nuk është sigurt në asnjë moment dhe në asnjë pjesë të Ukrainës”, tha ajo.

E lus popullin e Rusisë, ushtarët, nënat dhe gjithë popullin me u ndal sepse kjo luftë nuk ka kuptim, mendoni për familjet tona, për njerëzit tanë, për shtëpitë tona. Ne jemi në shtëpinë tonë, ju duhet të ktheheni mbrapshtë sepse keni ardhë te toka jonë dhe po bëni padrejtësi duke vrarë gra, fëmijë, jeni duke shkatërruar të gjitha. Populli duhet të ndal këtë luftë sepse nuk po lufton presidenti i Rusisë por njerëzit”, tha Maria Vitalievna Kydurko.

Ato thonë se në Ukrainë po e pësojnë civilët për shkak të politikës.

“Politikanët le të ulën në tavolinë dhe të zgjidhin problemet politikisht, nuk ka nevojë të vriten njerëzit, nuk ka nevojë me sulmuar popullin civil dhe më këtë nuk do të mund të mbërrijnë askund, vetëm vuajtje. Vuajtje nuk kanë përjetuar vetëm nënat ukrainase por edhe nënat e Rusisë sepse edhe fëmijët e tyre janë duke u vra në Ukrainë”, tha Julija Oleksandriva Obodovskaja.

Ato shpresojnë që të përfundoj sa më shpejt lufta që të kthehen në vendin e tyre.

Jana Zhdrella, e cila i ka strehu të afërmet e saj, thotë se qysh në fillim të sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës e ka kuptuar që gjendja do të përkeqësohet.

Në moment që e kam kuptuar që ka filluar lufta e kam thirr gjithë familjen time, gjithë shoqërinë për të ardhur në Kosovë. Kosova vet e ka përjetuar luftën dhe e dinë se si mund të ndihmojë këta njerëz, e dinë çka i pret njerëzit dhe burri im ka paralajmëruar se çfarë mund të ndodh në këto raste”, tha ajo, raporton VOA.

Në Kosovë agresioni i Rusisë në Ukrainë ka nxitur solidarizimin e institucioneve dhe qytetarëve me Ukrainën. Qeveria e Kosovës ka hequr regjimin e vizave hyrëse për shtetasit e Ukrainës, ka ndarë një fond prej 150 mijë eurosh për strehimin e 20 gazetarëve nga Ukraina ndërsa është zotuar që të ofrojë strehim për rreth 5 mijë refugjatë ukrainas.

/GazetaSinjali/