image Rrahje në Prizren, lëndohet rëndë një i mitur - Sinjali

Rrahje në Prizren, lëndohet rëndë një i mitur

news image

Një fenomen i shëmtuar dhe i pandalshëm është bërë edhe dhuna fizike në mes të miturve, sidomos brenda ambienteve shkollore, e cila është shndërruar në një pjesë të paevitueshme të realitetit, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i ngjashëm ka ndodhur dje në rrugën “Xhevat Berisha”, në Prizren, ku një person i mitur ka raportuar në polici se, është sulmuar fizikisht nga një person tjetër i mitur.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Policisë, bëjnë të ditur se si pasojë e lëndimeve të rënda trupore që i mituri ka pësuar, atij i është dashur që të trajtohet në institucionet shëndetësore.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, i cili tha se viktima është paraqitur në polici së bashku me babain e tij dhe ka deklaruar se pasi që ka përfunduar mësimi, i njëjti është sulmuar nga një i mitur tjetër, për të cilin ka thënë se nuk ka pasur më parë mosmarrëveshje.

Pas deklaratës së viktimës në polici, polici hetues kujdestar ka kontaktuar me prokurorin kujdestar, i cili edhe ka iniciuar hetimet për këtë rast dhe pasi që njësiti i hetimeve kanë arritur ta identifikojnë të miturin e dyshuar për sulm, nga i njëjti kanë kërkuar që të paraqitet në polici.

Sinjali mëson se i mituri, i cili dyshohet se ka sulmuar të miturin tjetër, i shoqëruar nga prindi i tij dhe në prani të avokatit mbrojtës e ka pranuar që e ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe se arsyet dhe motivet e dobëta kanë qenë shkak që ky i mitur të kryejë këtë vepër penale.

Sinjali merr vesh se pas intervistimit të të miturit, atij i është caktuar masa e ndalimit policor për 24 orë. /GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin