Mbrëmë ka ndodhur rrahje në një lokal në fshatin Hoqë të Vogël të Rahovecit, ku dyshohet se janë përfshirë dy persona. Në lidhje me rastin Policia e Kosovës është deklaruar në raportin 24-orësh, ndërsa tani Sinjali iu sjell detaje.
Të premten rreth orës 20:00, dy burra janë përfshirë në një rrahje, ku njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore. Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se 47-vjeçari është sulmuar nga një person tjetër i moshës 53-vjeçare.
Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia policore dhe e ka dërguar viktimën në QKMF-në e Rahovecit, ku i njëjti ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Më pas viktima është dërguar në spitalin rajonal të Gjakovës dhe mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima ka frakturë në hundë.
Sinjali mëson se i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 24 orë. Ndaj tij është iniciuar rasti “Lëndim i rëndë trupor”.
Gjithashtu, në lidhje me rastin, është siguruar një dëshmitar që ka qenë në vendin e ngjarjes në kohën kur ka ndodhur rrahja.