image Rrahja e ‘xhematit’ në xhaminë e Halabakut, dorëzohen në Polici tre personat e dyshuar

Sinjalizime

Rrahja e ‘xhematit’ në xhaminë e Halabakut, dorëzohen në Polici tre personat e dyshuar

news image

Konfliktet te xhamia e fshatit Halabak të Podujevës veçse janë rritur dhe tashmë kanë eskaluar edhe në dhunë fizike. Një sherr i tillë plasi pasditen e së shtunës dhe motivi lidhet me pakënaqësitë e disa banorëve me imamin e emëruar nga Bashkësia Islame e Kosovës në Podujevë. Gazeta Sinjali publikoi të shtunën pamje të rënda të rrahjes së një personi, i cili u bë viktimë e këtij rasti që dyshohet se e nisi bashkë me disa shokë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se tre të dyshuarit dy vëllezërit Xhakolli, Avdiu dhe Sabedini, si dhe i dyshuari tjetër Fikri Kosumi, janë dorëzuar gjatë ditës së sotme në Polici, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë. Pas përfundimit të procedurave policore, të njëjtit janë lënë të lirë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Sipas informacioneve të Gazetës Sinjali tre të dyshuarit për këtë rast, kanë sulmuar katër personat që dyshohet se e penguan imamin, i cili kishte shkuar për të kryer ritet fetare në këtë xhami.

Viktimat nuk ishin pajtuar me imamin dhe në shenjë revolte kishin nisur ta pengonin, çka i shtyu tre të dyshuarit, që t’i dalin atij në mbrojtje, duke u hedhur në sulm. Njëri nga viktimat e rastit është sulmuar me kondakt të armës, duke pësuar kështu gjakderdhje.

Si pasojë e lëndimeve që ka pësuar, i njëjti ka marrë trajtim mjekësor në spital, teksa më pas bashkë me viktimat e tjera kanë thënë deklaratat e tyre para zyrtarëve policorë.

Të njëjtat burime thonë se edhe imami i xhamisë është deklaruar në Polici, në cilësinë e dëshmitarit, ku ka treguar versionin e tij se si nisi mosmarrëveshja dhe kaloi në sulm fizik.

Për shkak të këtij incidenti, Sinjali mëson se me vendim të degës së BIK-ut në Podujevë, kjo xhami është mbyllur përkohësisht, derisa të merret një vendim tjetër.

Po ashtu, në një prononcim për Gazetën Sinjali, njëri prej viktimave të këtij rasti deklaroi se në asnjë moment nuk e kanë penguar imamin, por vetëm kanë vendosur të mos falen pas tij.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/