image “Xhemati s’falet pas tij, s’o për hoxhë ai”, flet për Sinjalin njëri nga viktimat e rrahjes në xhaminë e Halabakut

Sociale

“Xhemati s’falet pas tij, s’o për hoxhë ai”, flet për Sinjalin njëri nga viktimat e rrahjes në xhaminë e Halabakut

news image

Konfliktet te xhamia e fshatit Halabak të Podujevës veçse janë rritur dhe tashmë kanë eskaluar edhe në dhunë fizike. Një sherr i tillë plasi pasditen e së shtunës dhe motivi lidhet me pakënaqësitë e disa banorëve me imamin e emëruar nga Bashkësia Islame e Kosovës në Podujevë, Hyzdri Murseli. Tre banorë i dolën në mbrojtje imamit dhe dyshohet se u kapën me katër banorë të tjerë, që po dyshohet se e penguan hoxhën. Njëri prej tyre ka rrëfyer për Sinjalin versionin e tij të ngjarjes, duke lëshuar akuza në drejtim të imamit.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, njëri prej viktimave të këtij rasti deklaroi se në asnjë moment nuk e kanë penguar imamin, por vetëm kanë vendosur të mos falen pas tij.

Sipas tij, kështu janë duke vepruar pjesa më e madhe e fshatit dhe kjo gjë siç duket po iu pengon “krahëve’ të hoxhës.  

“Na nuk e kena pengu. Ai imam e ka veç një autorizim që ia ka jep Bashkësia Islame, që mos me lanë pa imam xhaminë. Shumica e katunit janë kundër tij. Ata e kanë marrë me kërcënim atë autorizim. Xhemati aty, jo katër persona, po krejt thuajse s’jonë falë mas tij. Amo atë nuk e kanë pengu gjatë detyrës. Ai u fal, kush ka dashtë mas tij është fal. Kur ka ardhë ai dje, ai u fal, amo kërkush s’u fal mas tij. Deri te sulmi erdh pse s’po falni mas tij.”, tha ai për Sinjalin.

Madje i njëjti ka lëshuar edhe akuza ndaj imamit, duke thënë se e ka uzurpuar xhaminë, por ai thotë se rreth 70% e fshatit nuk e përkrah, prandaj po shkaktohen situata të tilla.

“Ai s’osht për hoxhë as për kurrgjë. Nuk e ka sjelljen, as edukatën. E ka uzurpu xhaminë me dhunë, pa vendim të BIK. Xhemati s’jonë falë mas tij.”, përfundoi ai.

Si pasojë e këtij incidenti, me vendim të degës së BIK-ut në Podujevë, kjo xhami është mbyllur përkohësisht, derisa të merret një vendim tjetër. Kjo është konfirmuar edhe nga vet dega, që e kanë pranuar se ka pakënaqësi të thella në këtë xhami.

“Tani, kur pakënaqësitë janë thelluar, ne, përkohësisht e kemi mbyllur xhaminë, deri në një vendim tjetër. Bashkësia Islame tërë angazhimin e saj po e bënë për të ruajtur qetësinë mes banorëve. Duhet ditur se xhamitë janë vend paqeje dhe i qetësisë shpirtërore, ndaj bëjmë thirrje për përmbajtje dhe mirëkuptim deri te një vendim i pranueshëm nga të gjithë banorët e fshat”, thuhet në komuniaktë.

Në anën tjetër, tre personat e dyshuar për sulmin, Avdi dhe Sabedin Xhakolli, si dhe i dyshuari tjetër Fikri Kosumi, ndodhen në arrati.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/