Publikimi i pamjeve të rrahjes së të moshuarës në qendrën për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë u bënë ‘sebep’ për arrestimin e tri infermiereve të përfshira në këtë rast që dyshohet se ka ndodhur para disa ditësh. Policia arrestoi të dyshuarën kryesore, Aurona Pelaj, si dhe dy infermieret tjera të përfshira, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi, të cilat me vendim të Prokurorit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor. Por cilat janë veprat për të cilat dyshohen të arrestuarat?
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se infermieret e dyshuara, do të hetohen për veprat penale “Sulmi”, “Moslajmërimi i përgatitjes se veprave penale” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera te paautorizuara”.
Aurona Pelaj dyshohet për sulm, infermierja tjetër do të hetohet për moslajmërim të rastit, si dhe e dyshuara e fundit për incizimin e pamjeve të rrahjes, raporton Gazeta Sinjali.
Si e parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës dënimin për ata që kryejnë këto vepra?
Sulmi
Sipas nenit 184, kushdo që me dashje përdor forcën ndaj personit tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit. “
Kur vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni është kryer me përdorimin e armës, mjetit të rrezikshëm apo ndonjë sendi tjetër që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.”
Moslajmërimi i përgatitjes se veprave penale
Ndërsa në nenin 377 thuhet se kushdo që duke qenë në dijeni për përgatitjen e kryerjes së ndonjë vepre penale, nuk e lajmëron këtë fakt në kohën kur kryerja e veprës penale ende ka mund të evitohet ndërsa vepra penale është kryer ose është tentuar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
Fotografimi dhe incizimet tjera te paautorizuara
Kurse, kushdo që pa autorizim fotografon, filmon, incizon me video ose në ndonjë mënyrë tjetër incizon personin tjetër në banesën e tij personale ose në ndonjë vend tjetër ku personi ka pritje të arsyeshme për privatësi dhe në këtë mënyrë thelbësisht cenon privatësinë e tjetrit, dënohet me gjobë ose me burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet.
Ndryshe, Gazeta Sinjali sonte publikoi ekskluzivisht deklaratën e Pelajt të dhënë në Polici, ku ka rrëfyer për rastin skandaloz, dhunën që ka ushtruar dhe gjithçka që ndodhi brenda qendrës ku shërbente për kujdesjen e të moshuarve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.