Kanë kaluar gati dy muaj që kur në picerinë “Proper Pizza”, në Prizren, ndodhi një rrahje e përgjakshme me grushte e karrige mes katër të rinjve, gjatë së cilës u ekspozua edhe një armë zjarri, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali pati publikuar pamje dhe detaje ekskluzive nga kjo rrahje, të cilat ndihmuan Policinë në identifikimin e dy të dyshuarve dhe arrestimin e njërit prej tyre.
Gabriel Thaqi, i njohur me nofkën “Gabby” dhe Ymer Krasniqi dyshohen se sulmuan fizikisht dy të rinj që po qëndronin në këtë piceri, rreth orës 01:05 pas mesnatës së 7 gushtit.
Ymer Krasniqi u arrestua nga Policia dhe më 24 shtator të këtij viti, Gjykata Themelore në Prizren ia caktoi masën e paraburgimit, ndërsa Gabriel Thaqi po vazhdon të mbetet i pakapshëm nga organet e sigurisë dhe drejtësisë.
Gabriel Thaqi i cili ndodhet në arrati që dy muaj, dyshohet se ka sulmuar njërin prej të rinjve, të cilin e ka goditur disa herë me boks të hekurit në fytyrë dhe kokë.
Me këtë veprime, Prokuroria ka vlerësuar se Gabrieli ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Ymeri, i cili ndodhet në paraburgim, dyshohet se atë natë në picerinë “Proper Pizza”, bashkë me Gabrielin i ishte afruar tavolinës, në të cilën ishin ulur dy të rinjtë dhe kur “Gabby” fillon ta sulmojë njëri nga të rinjtë, Ymeri e kap me dy duar dhe e rrëzon përtokë shokun e të dëmtuarit.
Në atë moment, ashtu siç konstaton Prokuroria dhe siç shihet në videon e publikuar nga Sinjali, Ymerit i bie një armë zjarri nga çanta, të cilën arrin ta merr nga toka.
Këtë armë ai e mban në duar gjatë gjithë kohës dhe pavarësisht tentimit, njëri nga të dëmtuarit dhe dy persona të tjerë, nuk arrijnë që t’ia marrin.
Duke u larguar nga lokali, Ymeri e repertir armën dhe largohet.
Me këto veprime, Ymer Krasniqi dyshohet se ka kryer dy vepra penale, veprën penale të “Sulmit” dhe atë të “Mbajtjes në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/